Kosova

Liberalizimi i vizave, Kurti: Më shumë qytetarë po kthehen në Kosovë sesa që largohen


Kryeministri i Kosovës, njëherit edhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LV-së ka thënë se prejse ka ndodhur liberalizimi i vizave, ka më shumë qytetarë që po kthehen në Kosovë, sesa që po largohen.

“Qytetarët po e përjetojnë progresin, tash e tre vite qytetarët e ndjejnë që Qeveria nuk e vjedh atë. Liria e lëvizjes vetëm sa e shtoi dashurinë për vendlindjen, ashtu siç e kemi parashikuar ne. Tani kemi më shumë qytetarë që kthehen, sesa që largohen. Në fund të vizitave qytetarët po kthehen me familjarët e tyre në mërgatë dhe po sjellin edhe vizitorë të huaj për të shijuar bukuritë natyrore të Kosovës”, tha Kurti para bashkëpartiakëve.

Po ashtu, kreu i Qeverisë ka theksuar se është duke punuar shumë për t’ia kthyer me punë besimin qytetarëve të Kosovës për ekzekutivin që e drejton.

“Orët edhe ditët e javës mundohem t’i shtoi për t’ia kthyer me punë besimin dhe mbështetjen e dhënë ndaj qeverisë të gjithë qytetarëve të Kosovës”, shtoi Kurti.

Kurti: Vendimi për Manastirin ishte i paevitueshëm

Ai ka folur edhe për vendim e Qeverisë për t’ia dhënë 24 hektarë tokë dhe pyll Manastirit të Deçanit, teksa theksoi se ishte “vendim i pashmangshëm”.

“Më 13 mars morëm një vendim shumë të vështirë e megjithatë vazhdojmë të besojmë të paevitueshëm. Në kuadër të anëtarësimit të Kosovës në KiE, procesi ishte bllokuar nga akterët për shkak se Kosovës i ishin vënë tri parakushte, parasë procesi të përparonte më tutje. Si rezultat i lobimit të institucioneve tona, për çka e falënderojë MPJD-në, u arrit që nga këto 3 kushte, avancimi të sigurohet me vetëm një parakusht”, potencoi ai.

“Në anën tjetër, pas shqyrtimeve të gjata juridike u siguruam që ky rast nuk përbën precedent dhe nuk kishte mjet legal për ta kontestuar. Sot gjendemi në situatë më të favorshme në këtë proces, raporti i Baokyanis njeh plotësimin e të gjitha kushteve, dhe qartë thotë se të tjera zotime duhet të përmbushen pas anëtarësimit”.

Albin Kurti

Kurti: Po hyjmë në javën e 30-të prejse ka ndodhur sulmi terrorist në Banjë, Prokuroria ende s’ka ngritur aktakuzë

Kurti, para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LV-së ka adresuar kritika ndaj Prokurorisë Speciale e cila ende nuk ka ngritur aktakuzë për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjë të Zveçanit.

“Sot po hyjmë në javën e 30-të prej sulmit në Banjë nga kryekrimineli Milan Radojiçiç, por ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit për sulmin terrorist që na vrau rreshterin dhe heroin Afrim Banjaku. Sulm për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të ishte problem se lere më java e 30-të në të cilën hyjmë sot”, tha Kurti.

Tutje, gjatë fjalimit të tij, kryeqeveritari kosovar ka vazhduar me kritika për sistemin e drejtësisë në Kosovës.

“Gjysma e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Qeverisë, vetëm 1/3 është e kënaqur me punën e prokurorëve dhe të gjyqtarëve”, potencoi ai.

Ndërkaq Kurti është lavdëruar se në Veri të vendit është ulur ilegaliteti dhe është shtuar ligjshmëria dhe siguria.

Sipas tij, janë mbyllur 27 rrugë ilegale, janë shkatërruar nëntë laboratorë droge, gjashtë të kriptovalutave dhe katër depo të armatimit.

“Janë sekuestruar alarme e kamera të strukturave ilegale dhe armatim në vlerë prej 15 milionë eurove. Janë ngritur nëntë stacione policore për të rritur sigurinë”.

Kryeministri më tej ka bërë thirrje për diasporën që të dalin në zgjedhjet e 9 qershorit në Bashkimit Evropian.

“Më 9 qershor është një datë e rëndësishme për Bashkimin Evropian dhe mund të themi për gjithë Evropën. Që nga zgjedhjet e para të Parlamentit Evropian më 1979  kurrë s’ka qenë Evropa më e kërcënuar se ç’ka qenë sot. BE-ja gjithashtu gjendet para zgjedhjeve dhe vendimeve të mëdha, përball agresionit ushtarak dhe fashizmit të diktaturës ruse”.

“E ftoj diasporën që t’i votojë socialdemokratët e qendrën e majtë si të vetmit që kundërshtojnë ekstremizmat në Evropë”, ka theksuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore