Kosova

Petritsch: Në Kosovë s’mund të ketë luftë, por incidentet janë të mundshme


Wolfgang Petritsch, diplomat austriak dhe ish-Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për negociatat e paqes midis Kosovës dhe Serbisë që u zhvilluan në Paris të Francës (Rambouillet, 6 shkurt 1999), ka thënë se nuk mund të ketë luftë prapë në Kosovë, por ka theksuar se rasti i sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit mund të përsëritet sërish.

“Po ju them me bindje të plotë dhe ju them se në Kosovë nuk mund të ketë luftë ashtu siç ndodhi me Millosheviçin. Por unë e them me brengë se incidente të tilla si ai në Banjë, janë të mundshme dhe ato do ta zhvendosnin procesin paqësor shumë vite prapa. Diçka e tillë, duhet të pengohet patjetër dhe kjo gjatë këtij vit, pra vitit 2024, duhet të garantohet me praninë e KFOR-it në veri”, tha ai në një intervistë për Radio Kosovën.

Gjatë kësaj interviste, po ashtu ai ka folur edhe për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, derisa ka theksuar se marrëveshjet mes dy shteteve janë të vlefshme meqë “janë pajtuar para dëshmitarëve ndërkombëtarë”.

“Është praktikë evropiane, që në rastet kur dy politikanë të lartë, krerë të dy shteteve pajtohen dhe marrin zotime para dëshmitarëve ndërkombëtarë, që në këtë rast është Bashkimi Evropian, pra, kur ata japin një pëlqimin verbal për një çështje të caktuar para ndërmjetësve ndërkombëtarë, atëherë kjo marrëveshje është e vlefshme, pra, ka vlefshmëri ndërkombëtare”, shtoi.

Sipas diplomatit austriak, Kosova është plotësisht në agjendat e politikave të përbashkëta të sigurisë në Bashkimit Evropian duke theksuar se secili veprim i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, do ta mobilizonte NATO-n.

“Rusia s’ka ndikim direkt në Kosovë, por është faktor që shfrytëzon situatën që dëshiron të pengojë ndikimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore