Kosova

Ndërhyrja e Kurtit në zgjedhje, Osmani për AP: Si kryeministër duhet të jetë më i kujdesshëm, ka krijuar njëfarë tensioni


Albin Kurti dhe Bujar Osmani

Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut dhe kandidat i “Frontit Evropian” për president RMV-së, ka thënë për Albanian Post se ndërhyrja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka krijuar njëfarë “tensioni”, por shprehet i bindur se në asnjë mënyrë nuk do të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve.

“Ajo që ka krijuar njëfarë tensioni është fakti që zotëri Kurti është kryeministër, se përndryshe si përfaqësues i partive politike Kurti vazhdimisht ka pasur bashkëpunime me partitë opozitare, po të qenurit kryeministër duhet t’i bën njerëzit më të kujdesshëm, meqë pastaj involvohen shtetet edhe ka reperkusione tjera”, tha Osmani.

“Njerëzit janë të lidhur me ata që e kanë institucionalizuar dinjitetin e shqiptarëve. Ne kemi qenë popull i përjashtuar para 20 viteve, sot jemi popull që udhëheqim shtetin, me kryeministrin e parë dhe me gjitha pozicionet më të rëndësishme vendimmarrëse”, shtoi.

Tutje, ai iu është kundërpërgjigjur edhe sulmeve të intensifikuara të opozitës ndaj BDI-së, për të cilët ka thënë se duhet të kenë një ofertë për zgjedhje, përveç kritikave për liderin e BDI-së, Ali Ahmetin.

“Unë e kam një këshill për opozitën, në asnjë garë nuk ka fituar asnjë parti duke qenë kundër dikujt, s’ka ofertë, por duan ta rrëzojnë Ali Ahmetin. Shqiptarët gjithçka që kanë e kanë falë kontributit të Ali Ahmetit. Ne kemi ofertë serioze, premtuam NATO sot jemi, kemi premtuar kryeministrin e kemi”.

Po ashtu Osmani, foli edhe për akuzat e liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristjan Mickoski në drejtim të BDI-së, duke ia rikujtuar këtij të fundit se “koha e nacionalizmit ka kaluar moti”.

“Mickoski ta mataroj evulimin e tij politik dhe të tregojë se a ka ndikim rus në politikat e tij. Kjo është një retorikë e kaluar. BDI do jetë fituese në këto zgjedhje, ne kemi vijat e kuqe për ata që nuk e respektojnë marrëveshjen e Ohrit dhe atë me Bullgarinë”.

Ndryshe, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni të Veriut do të mbahet më 24 prill, ndërsa i dyti më 8 maj së bashku me ato parlamentare.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore