Kosova

Vendimi i KQZ-së për ditën e votimeve në Veri, PDK: Kurti dhe Osmani po shkatërrojnë rendin kushtetues


Betim Gjoshi

Sipas Sekretarit Organizativ të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani, tashmë “po shkatërrojnë edhe rendin kushtetues të Kosovës”.

Këto komente, Gjoshi i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për organizmin e votimit për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave Veriore më 21 prill.

Në mbledhjen e KQZ-së të premten, 8 anëtarë votuan pro caktimit të kësaj date, derisa 2 abstenuan. Të dy këta, përfaqësues të PDK-së në këtë institucion, pasi që të njëjtit konsiderojnë se ky vendim duhej marrë nga presidentja.

“Kushtetuta e Kosovës e ka thënë qartë: Presidenti shpallë zgjedhje, KQZ organizon zgjedhje. Por, sot ndodhi anomalia më e madhe që rrënon përfundimisht hierarkinë institucionale: KQZ shpallë zgjedhje, KQZ organizon zgjedhje”, shkroi ai.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, në vlerësimin e Gjoshit, “që e kanë çuar shtetin e Kosovës buzë greminës, tashmë edhe zyrtarisht po i rrezikojnë proceset zgjedhore”.

“PDK, është opozitë e vërtetë që nuk i nënshtrohet diktatit të pushtetit për të shkatërruar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe dy anëtarët e PDK-së në KQZ mbajtën qëndrim dinjitoz, institucional dhe kushtetues”, përfundoi ai.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që më 21 prill të mbahet votimi për largimin e katër kryetarëve të komunave Veriore, përkatësisht Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.

Vendimi është marrë në mbledhjen që ka mbajtur KQZ-ja këtë të premte. Për caktimin e 21 prillit si datë e mbajtjes së votimeve për largimin e kryetarëve të komunave Veriore kanë votuar 8 pro, ndërsa 2 kanë abstenuar.

Rekomandimi për caktimin e 21 prillit u bë nga Sekretariati i KQZ-së, pasi që ka verifikuar nënshkrimet e dorëzuara të peticioneve nga Kuvendet Komunale të komunave përkatëse.

Nga Sekretariati i KQZ-së, që ka qenë përgjegjës për verifikimin e nënshkrimeve, bënë me dije se është arritur kërkesa prej 20 për qind të nënshkrimeve në raport me numrin e përgjithshëm të votuesve, çka i hapi rrugë votimit për largimin e krerëve të komunave Veriore.

21 prill, dita e shkarkimit të Kryetarëve me “k” të vogël?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore