Kosova

Bislimi e njofton Lajçakun për “hapjen e 2 mijë vendeve të punës” në Veri


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin ka diskutuar për çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit, ka thënë se këtë të fundit e ka njoftuar edhe për hapjen e dy mijë vendeve të punës në katër komunat veriore.

“Në përfundim, e njoftova emisarin dhe me hapat të cilat po i ndërmerr Qeveria, si mbështetja me dy mijë vende pune në katër komunat veriore, si dhe veçova raportin më të fundit të UNDP-së i cili konstatoi rritje në ndjenjën e sigurisë tek serbët e Kosovës, nga 15.3% dhe 33.8% sa ishte në dy vitet e kaluara, në 37.6%”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

Po ashtu, ai ka theksuar se me Lajçakun ka biseduar edhe për propozimin e Komisionit Evropian që pasaportat ilegale të cilat lëshohen nga Drejtoria Koordinuese e Ministrisë së Punëve të Brendshme të së Serbisë për serbët e Kosovës të përfshihen liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Rreth çështjes së pasaportave ilegale KU, nënvizova se ky propozim vijon të jetë i padrejtë dhe se i njëjti e dëmton dhe procesin e dialogut”, potencoi ai.

Sipas Bislimit, përgjatë takimit, u ngritën dhe çështje të tjera të lidhura me procesin e dialogut si mbarëvajtja e zbatimit të marrëveshjes së energjisë.

“Mbi këtë të fundit, u adresua shqetësimi për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit tё Republikёs sё Kosovёs, shqetёsime kёto tё ngritura si nga ARKEP ashtu edhe nga KPM”, potencoi ai.

Ndërsa sa i përket masave ndëshkuese ndaj Kosovës të vendosura nga BE-ja për mos shtensionim të situatës në Veri, Bislimi ka theksuar se ka kërkuar heqjen e tyre.

“Ato janë të padrejta dhe duhet të bëhen hapa finalizues drejt heqjes së tyre”.

Sipas tij, në takim është biseduar edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evoprës.

“Në lidhje me rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, u sqarua dhe nga emisari Lajçak që anëtarësimi i Kosovës nё kёtё organizatë nuk ndërlidhet me procesin e dialogut, dhe se ato janë dy procese të ndara”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore