Kosova

Ndalohen dy persona për shpërndarje të fletushkave në Veri që thërrasin në sulm ndaj Policisë


Dy persona janë ndaluar në Mitrovicë të Veriut pasi dyshohet se kanë shpërndarë fletushka për qytetarët serb me udhëzime se “s’i t’u kundërvihen policisë së Kosovës”.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post, zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani, i cili ka deklaruar se janë bastisur katër lokacione.

“Të mërkurën gjatë orëve të pasdites kemi bastisur katër lokacione në lidhje me rastin e thirrjes për rezistencë dhe i kemi ndaluar dy persona, ndërsa jemi në kërkim edhe të një personi të tretë. Pas intervistimit të tyre do të vendoset për veprimet e tjera”, tha Elshani.

Fletushkat përmbajnë një sërë udhëzimesh specifike për veprimet që duhet të ndërmerren nëse haset në forcat e rendit të Kosovës, të cilat grupi i referohet si “Policia e Kurtit”.

Në fletushka udhëzohen serbët që t’i gjuajnë me gjësende policët e Kosovës, përfshirë edhe me kokteje molotovi. Po ashtu udhëzohen edhe si të goditen me shuplakë shërbyesit komunal.

Ndër udhëzimet në këto fletushka janë edhe si të thyhen veturat e policisë “më lehtë” e po ashtu edhe ka udhëzime se si “të bëhet kokteji i molotovit”.

Ditë më parë, grafite luftënxitëse ku shkruhet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë, jeton Brigada e Veriut”, janë shfaqur në një objekt në Mitrovicë të Veriut.

Grafite të tilla thuhet se janë parë edhe në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna këto të banuara me shumicë serbe.

Kush është grupi serb në Veri me emrin “Mbrojtja Popullore”? Çka thonë fletushkat që thërrasin në sulm ndaj Policisë së Kosovës?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore