Kosova

Kush është grupi serb në Veri me emrin “Mbrojtja Popullore”? Çka thonë fletushkat që thërrasin në sulm ndaj Policisë së Kosovës?


Foto: Albanian Post

Pas tetë muajve prejse Qeveria e Kosovës i kishte shpallur terroriste organizatat serbe “Mbrojtja Civile” (Civilna Zashtita) dhe “Brigada e Veriut” (Severna Brigada), një grup i quajtur “Mbrojtja Popullore”, është shfaqur në Veri, teksa kanë shpërndarë fletushka për qytetarët serb me udhëzime se “s’i t’u kundërvihen policisë së Kosovës”.

Për ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, përmes shpërndarjes së këtyre fletushkave, pjesëtarë të këtij grupi po tentojnë ta mbajnë “në tension” pjesën veriore të vendit dhe po tentojnë ta tregojnë kinse praninë e strukturave shtetërore serbe në atë pjesë.

“Po besoj që është grup paramilitar që ka lidhje me Serbinë dhe në këtë frymë unë po besoj që me këto fletushka po duan ta mbajnë gjallë tensionin në pjesën veriore të vendit. Për më tepër, po tentojnë të bëjnë më shumë presion tek popullsia civile e komunitetit serb në atë pjesë, për ta konfirmuar gjoja praninë e strukturave shtetërore serbe”, tha Hoxha për Albanian Post.

Hoxha thotë po ashtu se aktivizimi i “Mbrojtës Popullore” vjen edhe pas disfatës së grupit terrorist i cili në krye me terroristin Milan Rasdojiçiç vitin e kaluar kishin tentuar ta aneksojnë një pjesë të Veriut, ku si pasojë mbeti i vrarë rreshteri tash heroi Afrim Bunjaku.

“Po ashtu është një lloj frustrimi pas disfatës që pësuan më 24 shtator në Banjë të Zveçanit nga një operacion profesional i Policisë së Kosovës. Nuk besoj që do ta përshkallëzojnë situatën, sepse vizita e ministrit të Jashtëm i Britanisë në fillimvit dhe vizita e ministrit të Mbrojtës së Gjermanisë para disa ditësh, na treguan se nuk do të lejojnë që të eskalojë prapë situata në Veri”.

Në anën tjetër, Arben Dabishevci, njohës i çështjeve të sigurisë dhe kriminalistikës, thekson për AP se organet e rendit duhet “të jetë vigjilente”, por vlerëson se shpërndarja e fletushkave në Veri me thirrje për rezistencë, nuk paraqet kërcenim serioz për policinë.

“Janë disa persona që kanë mbetur nga ekstremistët të cilët po tentojnë me çdo mënyrë ta mbajnë situatën në tension, janë të nxitur nga Lista Serbe e cila është e dirigjuar nga Beogradi. Duke i pasur parasysh dështimet e politikës serbe, ata po tentojnë ta mbajnë situatën në tension, kurse realiteti është ndryshe, pasi serbët kanë filluar ta paguajnë rrymën dhe i kanë regjistruar veturat me targa RSK”, potencoi Dabishevci.

Tashmë pas 24 shtatorit të vitit të kaluar, sipas tij, në Kosovë ka ndryshuar gjithçka në aspektin e sigurisë, teksa ka shtuar se “24 shtatori është mësimi më i madh që ka marrë Kosova”.

“Pas kësaj date asgjë nuk është e njëjtë në aspektin e sigurisë në Kosovë, sepse pjesëtarët e grupeve terroriste nuk ndodhen në Kosovë që të paraqesin ndonjë rrezik”, verën ai.

Fletushka e shpërndarë për serbët në Veri

Cka shkruhet në fletushka?

Fletushkat përmbajnë një sërë udhëzimesh specifike për veprimet që duhet të ndërmerren nëse haset në forcat e rendit të Kosovës, të cilat grupi i referohet si “Policia e Kurtit”.

Në fletushka udhëzohen serbët që t’i gjuajnë me gjësende policët e Kosovës, përfshirë edhe me kokteje molotovi. Po ashtu udhëzohen edhe si të goditen me shuplakë shërbyesit komunal.

Ndër udhëzimet në këto fletushka janë edhe si të thyhen veturat e policisë “më lehtë” e po ashtu edhe ka udhëzime se si “të bëhet kokteji i molotovit”.

Dy ditë më parë, grafite luftënxitëse ku shkruhet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë, jeton Brigada e Veriut”, janë shfaqur në një objekt në Mitrovicë të Veriut.

Grafite të tilla thuhet se janë parë edhe në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna këto të banuara me shumicë serbe.

Të hënën, rreth 2 mijë persona kanë qenë pjesëmarrës në protestën e organizuar në Veri të Kosovës, për të kërkuar shfuqizimin e vendimit që ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka bërë të ditur se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb do të zgjasë tre muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore