Kosova

Grupi i quajtur “Mbrojtja Popullore” shpërndan fletushka në Veri ku bëhet thirrje për rezistencë


Fletushkat me udhëzime se “s’i t’u kundërvihet policisë së Kosovës”, po dyshohet se janë shpërndarë në Veri të hënën nga një grup i quajtur “Mbrojtja Popullore”, gjatë protestës në Mitrovicë të Veriut ku mijëra serbë kanë kërkuar shfuqizimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.

“Dyshojmë se dje gjatë dhe pas protestës këto broshura janë shpërndarë dhe ne kemi hasur në to më vonë. Pas konsultimit me prokurorin e Prokurorisë Speciale është hapur rasti thirrje për rezistencë dhe nxitje të urrejtjes. Nuk ka të dyshuar e as të arrestuar”, tha zëvendësdrejtori i Policisë në Veri, Veton Elshani për Albanian Post.

Fletushkat përmbajnë një sërë udhëzimesh specifike për veprimet që duhet të ndërmerren nëse haset në forcat e rendit të Kosovës, të cilat grupi i referohet si “Policia e Kurtit”.

Në fletushka udhëzohen serbët që t’i gjuajnë me gjësende policët e Kosovës, përfshirë edhe me kokteje molotovi. Po ashtu udhëzohen edhe si të goditen me shuplakë shërbyesit komunal.

Ndër udhëzimet në këto fletushka janë edhe si të thyhen veturat e policisë “më lehtë” e po ashtu edhe ka udhëzime se si “të bëhet kokteji i molotovit”.

Dy ditë më parë, grafite luftënxitëse ku shkruhet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë, jeton Brigada e Veriut”, janë shfaqur në një objekt në Mitrovicë të Veriut.

Grafite të tilla thuhet se janë parë edhe në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna këto të banuara me shumicë serbe.

Të hënën, rreth 2 mijë persona kanë qenë pjesëmarrës në protestën e organizuar në Veri të Kosovës, për të kërkuar shfuqizimin e vendimit që ndalon përdorimin e dinarit në Kosovë.

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka bërë të ditur se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb do të zgjasë tre muaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore