Kosova

Kurti: Gjendja në veri ka ndryshuar shumë, rendi dhe ligji po forcohen


Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa përkujtoi vrasjen e dhjetëra shqiptarëve dhe dëbimin e mijëra të tjerëve nga strukturat kriminale serbe në pjesën veriore të Mitrovicës, tha se vendosja e rendit në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe përparoi shumë që nga ngjarjet mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, ndërsa shtoi se edhe ligji atje është duke u forcuar.

“Tani pas 24 vitesh nga shkurti i vitit 2000, gjendja në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe në veri të vendit në përgjithësi, ka ndryshuar shumë falë angazhimit të Qeverisë së Kosovës dhe strukturave shtetërore të sigurisë”, shkroi kreu i ekzekutivit kosovar në një postimi në “Facebook” të dielën, duke kujtuar se disa organizata ilegale serbe janë shpallur terroriste.

“Organizatat kriminale ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ janë shpallur organizata terroriste, kurse vendosja e rendit dhe e ligjit në veri ka pasur përparime të mëdha dhe është në rrugë të mbarë për t’u forcuar. Megjithatë, për të vrarët e të torturuarit si dhe për të dëbuarit nga pjesa veriore e Mitrovicës gjatë shkurtit të vitit 2000, duhet të ketë drejtësi”.

Shtetet e Bashkura të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) akuzuan njëzëri Qeverinë e Kosovës se nëpërmjet “lëvizjeve të njëanshme” po nxit “tensione të panevojshme” në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, posaçërisht pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) mbi operacionet me para të gatshme në vend.

Për shkak të situatës së brishtë në pjesën veriore të vendit, posaçërisht pas përshkallëzimit të tensioneve vitin e kaluar që kulmuan pas sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në Banjë të Zveçanit, bashkësia e organizuar ndërkombëtare kërkoi nga Qeveria e Kosovës që ta shtyjë implementimin e vendimit dhe t’u japë më shumë kohë serbëve lokalë që të adaptohen.

Megjithë thirrjet e SHBA-së dhe BE-së që Qeveria e Kosovës të ndryshojë kursin në raport me pjesën veriore të vendit, posaçërisht pas vendimit për ndalimin e dinarit serb në Kosovë, kreu i ekzekutivit kosovar nuk është lëkundur nga pozicioni fillestar nën argumentin e shtrirjes së ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në çdo cep të Kosovës, përfshirë veriun e trazuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore