Lajme

Zgjedhjet në Serbi, Von Cramon: Është kërkuar hetim, votuesit e meritojnë të dinë çfarë ndodhi


Viola von Cramon

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka njoftuar se është kërkuar një hetim i pavarur në lidhje me zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, të cilat u shënuan me parregullsi të shumta nga Partia Progresive Serbe (SNS) – partia e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.

Von Cramon, lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e saj në platformën X.

“Ne kemi kërkuar një hetim të pavarur. Votuesit kanë të drejtë të dinë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë në zgjedhjet e 17 dhjetorit”, shkroi Von Cramon.

Në fakt, eurodeputetja, reagimin e saj e ka bërë pasi që ka rishpërndarë postimin e Carl Bildt, ish-kryeministër i Suedisë.

Ajo ka shpërndarë postimin e tij në X, ku shihet një numër i madh i njerëzve nga protesta në Beograd.

“Një pjesëmarrje e madhe në Beograd sot pasdite. Ka protestë për mashtrimin e pretenduar në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe komunale. Sidomos në zgjedhjet komunale të Beogradit, ka çështje shumë serioze. Kërkesa e tyre është anulimi i këtyre zgjedhjeve”, kishte shkruar Bildt.

Ndryshe, pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, ka thënë se zgjedhjet janë vjedhur dhe si rrjedhojë nuk do t’i njohin ato.

Edhe bashkësia ndërkombëtare, posaçërisht vëzhguesit ndërkombëtare të këtyre zgjedhjeve kanë vënë në pah manipulimet që SNS-ja e Vuçiç-it i ka bërë në këtë proces zgjedhor.

Për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve, njëra nga lideret e koalicionit opozitar serb, Marinika Tepiç, ka hyrë në grevë urie, të cilës në ditët në vijim do t’i bashkoheshin edhe disa kolegë të saj.

Që nga ajo ditë, çdo mbrëmje para Komisionit Republikan të Zgjedhjeve të Serbisë (KZZ) duke filluar nga ora 18:00, protestat zhvillohen me një qëllim të qartë – anulimin e zgjedhjeve.

Paralelisht me protestat para RIK-ut u mbajtën edhe protesta të shumta studentore (protesta të të rinjve) me kërkesë për hapjen e listave zgjedhore.

Mesditën e së premtes, 29 dhjetor, nisi greva 24-orëshe e studentëve, e cila u mbyll me një protestë të madhe të nismës ProGlas “Nuk jemi dakord”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore