Kosova

Kurti propozon që ta shkruaj një “draft modern evropian” për Asociacionin


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm që ta shkruaj një draft-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe për vitin e ardhshëm, pra 2024, pas atij që u propozua nga Bashkimi Evropian, e të cilin Kosova në parim e ka pranuar.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Kurti, përmes një shkrimi në Facebook, të cilin e ka titulluar “Normalizimi i Marrëdhënieve drejt vitit 2024”, ku i ka paraqitur shtatë hapa që do të ishin në funksion të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke iu përgjigjur kështu deklaratave të të Dërguarit Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili tha se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës.

“Draft statutin e Asociacionit mua më thuhej se duhet ta pranojë edhe Serbia (andaj qysh në takimin e Ohrit kam ofruar që ta shkruaj atë mbi tri parime, ofertë kjo që u refuzua nga Vuçiq). Sipas deklarimit të fundit të emisarit evropian Miroslav Lajçak, meqë draft statuti na qenka veçse çështje e brendshme e Kosovës, në vitin e ardhshëm, unë mund ta shkruaj një draft modern evropian në konsultim me ministrat e mi Nenad Rashiç (Komunitete dhe Kthim) dhe Elbert Krasniqi (Administrimi i Pushtetit Lokal)”, shkroi ai.

Kurti theksoi se prioritet absolut për qeverinë që ai e udhëheqë “është siguria për Kosovën, integriteti territorial i shtetit dhe jeta e mirëqenia e qytetarëve pa dallim”.

“Konluzionet e hetimeve për sulmin terrorist e kriminal të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, kur u vra rreshteri Afrim Bunjaku, duhet të bëhen publike menjëherë”, renditi ai hapin e radhës, derisa kërkoi që kryekrimineli Milan Radojiçiç dhe pjesëtarët e grupit të tij paramilitar t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës.

“Shpresoj që Bashkimi Evropian dhe ShBA-të do t’i vendosin sanksione Serbisë, e posaçërisht Presidentit të saj Aleksandër Vuçiç, për sjelljet dhe veprimet armiqësore e agresore ndaj Kosovës, për eskalimin në Veri të vendit tonë dhe për heqje dorë nga Marrëveshja Bazike (nëpërmjet letrës së Kryeministres së Serbisë, Ana Brnabiç, të 14 dhjetorit)”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, kryeministri ka kërkuar që t’i hiqen masat ndëshkuese të BE-së dhe të ShBA-ve, dhe “vendit tonë t’i jepet statusi i vendit kandidat për BE e Partneriteti për Paqe me NATO”. “Pikërisht kështu partnerët tanë perëndimorë do t’i kërkonin fuqishëm Serbisë të zbatonte obligimin e njohjes de facto të Kosovës”.

Kreu i ekzekutivit kosovar shtoi se Marrëveshja Bazë (Bruksel, më 27 shkurt, Ohër, më 18 mars), për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “do të mund të nënshkruhej në Samitin e Këshillit Evropian që mbahet në datat 21 e 22 mars 2024”.

Pos këtyre, kryeministri kërkoi që Brukseli dhe emisari evropian Lajçak të merren më tepër me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, “që i vodhi zgjedhjet në Serbi me ndihmën e [Millorad] Dodikut, [Andrija] Mandiç-it e Radoiçiqit (sidomos në Beograd) dhe që u tërhoq nga Marrëveshja Bazike e 27 shkurtit 2023 (përmes letrës së Kryeministres Ana Bërnabiq), në vend se të na bëjnë presion publik me opsione që e shndërrojnë Kosovën demokratike e pro-evropiane në temë problematike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore