Kosova

Pretendimi i Jabllanoviç-it: “Po të ishte më i mençur Kurti s’do ndodhte sulmi terrorist në Banjë”


Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç, ka thënë se sulmi terrorist në Banjë të Zveçanit më 24 shtator ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, do mund të parandalohej, po të ishte “më i mençur” kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Banja dhe shumë gjëra të tjera, përfshirë edhe konfliktin me policinë e Kosovës dhe KFOR-in më 28 dhe 29 maj, nuk do të kishin ndodhur po të kishte më shumë mençuri nga ana e Qeverisë dhe kryeministrit Kurti. Për sulmin në Banjë nuk jam i informuar. Nga Prishtina cilësohet si akt terrorist”, tha Jabllanoviç në një intervistë në RTV Dukagjini.

Politikani serb nga Veriu është pyetur edhe për kriminelin Milan Radojiçiç, i cili mori përsipër sulmin terrorist në Banjë, teksa ka shtuar se ka pasur eksperienca të këqija me të.

“Mendimi im për Milan Radojeçiçin ka qenë shumë subjektiv, me këtë person kam pasur eksperienca shumë të këqija, pasi jam përndjekur politikisht. Shpresoj që do ta kem mundësinë ta mposhti Listën Serbe e cila në masë të madhe është edhe krijimtari e Radojiçiç-it, shpresoj ta mund në zgjedhje që mos të mund të ndikojnë në jetën e serbëve në Veri”, shtoi ai.

Jabllanoviç pati lëvdata për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të cilin tha se ka ndikuar në integrimin e serbëve të Kosovës.

“Vetëm në mandatin e Vuçiçit ka ndodhur një integrim serioz i serbëve në shoqërinë kosovare. Por, ne serbët presim gjithmonë diçka më të madhe”.

Ndryshe, Jabllanoviç nuk kishte pranuar të garojë për kryetar të Leposaviqit në zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunat veriore të 23 prillit, pasi ishte tërhequr nga gara zgjedhore.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Jabllanoviç kishte potencuar se vendimi për tërheqje ishte marrë nga kryesia e partisë.

Sipas tij, partia e tij po tërhiqej, sepse nuk kishte kushte adekuate për mbajtje të zgjedhjeve, si dhe ishte ankuar për mënyrën se si do të mbahen ato, duke përmendur faktin se do të mbahen në kontejnerë dhe se siguria do të garantohet nga Policia e Kosovës.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati dhënë një arsyeje tjetër pse Jabllanoviçi nuk mori pjesë në zgjedhje.

Pesë muaj më parë, Kurti deklaroi publikisht se me gjasë që Jabllanoviç vendosi të largohej nga gara për kryetar komune në zgjedhjet e fundit, pasi pranoi 1 milion euro dhe dy banesa në Beograd.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore