Kosova

Vuçiç pas takimit me Cramon: Biseduam për rrugën evropiane të Serbisë


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është takuar me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon në Beograd më të cilën ka biseduar për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që u mbajtën të dielën në Serbi.

“Kemi biseduar për zgjedhjet në Serbi, çështjet rajonale dhe rrugën evropiane të Serbisë”, ka shkruar Vuçiç në Facebook.

Ndryshe, në Serbi kanë përfunduar zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e krahinore dhe sipas rezultateve preliminare të Qendrës për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID), lista e SNS-së “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar mbi 46 për qind të votave (rreth 129 mandate), bazuar në mbi 80 për qind të mostrave të përpunuara.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, bazuar në rezultatetet preliminare të CeSID, ka fituar rreth 23 për qind të votave (rreth 63 mandate), ndërsa Partia Socialiste e Serbisë (SPS) nën udhëheqjen e kryediplomatit serb, Ivica Daçiç, ka fituar jo më shumë se 6.9 për qind të votave (19 mandate). E djathta nacionaliste serbe ka fituar rreth 4.8 përqind.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe udhëheqësi i koalicionit “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, Shaip Kamberi, pritet të përfaqësojë shqiptarët e Luginës së Preshevës – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – në Kuvendin e Serbisë edhe për një mandat. Ai ka fituar votat e nevojshme për të qenë zëri i shqiptarëve në legjislativin serb.

E të drejtë vote kanë pasur rreth 6.5 milionë shtetas të Serbisë. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, ndërsa janë mbyllur në orën 20:00 në mbrëmje. Deri në orën 20:00 kanë votuar 59.68 për qind e qytetarëve, kurse procesi është monitoruar nga mbi 5 mijë vëzhgues.

Shpallja dhe organizimi i zgjedhjeve në Serbi vjen në një periudhë kur janë intensifikuar përpjekjet e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dritën e ngritjes së tensioneve pas sulmit të armatosur terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore