Kosova

KQZ-ja i përgjigjet kërkesës së serbëve në veri: Fillimisht të mblidhen nënshkrimet e 20 për qind të votuesve


Ilustrim

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë (KQZ), Valmir Elezi, njoftoi të hënën se u është kthyer përgjigje kryesuesve të kuvendeve komunale në tri komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq dhe Zubin Potok – në lidhje me nismën për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat veriore.

Ai tregoi edhe përllogaritjet se sa duhet të jetë përafërsisht numri i votuesve që duhet t’i korrespondojë kërkesës prej 20 për qind të votuesve të regjistruar në Kosovë. Numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote në komunën e Leposaviqit është 13 mijë e 441. Nga ky numër, rreth 2 mijë e 689 përbëjnë 20 për qind të trupit elektoral, shpjegoi Elezi në një konferencë.

Kjo masë vlen njëjtë edhe për komunën e Mitrovicës së Veriut dhe Zubin Potokut. Në komunën e Mitrovicës së Veriut, numri i votuesve është 18 mijë e 199. Nga ky numër, rreth 3 mijë e 640 votues përbëjnë 20 për qind të trupit elektoral, kurse në komunën e Zubin Potokut, numri i qytetarëve me të drejtë vote është 6 mijë e 732. Rreth 1 mijë e 347 përbëjnë 20 për qind.

Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) parasheh që inicimi i shkarkimit të kryetarit të komunës duhet bërë me peticion nga së paku 20 për qind të votuesve e më pas votimi për largim organizohet nga KQZ-ja, ndërsa rezultati i dërgohet presidentes e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

Më 12 dhjetor të këtij viti, të tre kryesuesit e kuvendeve komunale kërkuan nga KQZ-ja të njoftohen nëse anëtarët e grupeve nismëtare janë votues në komunat përkatëse dhe se sa është 20 për qindëshi i votuesve në secilën nga katër komunat e banuar me serbë etnikë në pjesën veriore të territorit kosovar. Bashkimi Evropian (BE) kërkon që zgjedhjet të mbahen shpejt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore