Kosova

Vuçiçi përkeqësoi pozitën e serbëve në Kosovë, thotë Zelenkoviç


Shefi i grupit parlamentar të koalicionit opozitar “Bashkë-Ne duhet”, Nebojsha Zelenoviç, ka thënë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç “është i paaftë”.

Ai në një intervistë për mediumin serb Danas, theksoi po ashtu se pozita e serbëve në Kosovë “është me keqe”, për shkak të Vuçiç-it.

“Në nëntor të vitit 2022, serbët ishin në polici, në gjykatë dhe prokurori. Ku jemi sot. Pozita e qytetarëve tanë në Kosovë është pakrahasueshme më e keqe se një vit më parë. Ne do të rregullojmë gjithçka që mund të rregullohet”, tha Zelenoviç.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet e 17 dhjetorit që pritet të mbahen në Serbi, derisa ka potencuar se “shumica e qytetarëve serbë janë të pakënaqur me pushtetin e dhunshëm dhe të korruptuar”.

“Njerëzit janë në grevë dhe në rrugë. Qeveria e re duhet t’i japë fund dhunës dhe korrupsionit dhe do t’u mundësojë të gjithëve të bëjnë një jetë normale”, potencoi ai.

Zelenkoviç i ka porositur qytetarët që të dalin në zgjedhje dhe t’i largojnë paqësisht “banditët nga pushteti”.

“Përfshirja e një numri të madh të figurave publike dhe intelektualëve në protestën ‘Serbia kundër dhunës’ dhe tani gjatë fushatës zgjedhore është një inkurajim për njerëzit që të dalin në votime”.

Ndryshe, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryetari i Parlamentit, Vladimir Orliç, më 1 nëntor njoftuan për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale të cilat do mbahen më 17 dhjetor në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore