Kosova

Vrasje e rëndë në tentativë në Veri


Ilustrim

Një person është therur me thikë në Mitrovicë të Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – të dielën, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe një revole dhe një granatë dore, bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Rasti ka ndodhur pas një zënke verbale, ndërkaq i dyshuari ndodhet ende në arrati, thuhet ndër të tjera në raportin e Policisë së Kosovës, ndërsa bëhet e ditur se përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i cili e ka cilësuar rastin dhe hetimet vazhdojnë.

“Vrasje e rëndë në tentativë & armëmbajtje pa leje. Është raportuar se pas një zënke verbale viktima mashkull kosovar ishte sulmuar dhe therë me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar, i cili pasi e ka kryer veprën është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në arrati”.

Viktima është dërguar në spitalin rajonal të Mitrovicës së Veriut për tretman mjekësor, thuhet ndër të tjera në raportin e Policisë së Kosovës, derisa njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore