Kosova

Kosova Asociacionin, Serbia njohjen de-facto – mesazhet e Scholz-it, Macron-it dhe Melon-it ndaj Kurtit e Vuçiç-it


Foto nga Albanian Post

Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në këmbim të njohjes de-facto, apo anasjelltas.

Ky është mesazhi që liderët e tri shteteve më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian, më të angazhuar se kurrë më parë për të zgjidhur konfliktin mes dy fqinjëve ballkanas, i përcollën tek Kosova dhe Serbia të premten.

Kjo u bë përmes një komunikate të përbashkët të lëshuar nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, një ditë pasi që takuan ndaras Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të enjten në Bruksel.

“Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nis procedurën për themelimin e Asociacionit në Kosovë siç është përshkruar në draft-statut [të propozuar nga BE] dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto”, thuhet aty, teksa shtohet se formalitetet, “nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje”.

Në fakt, kjo çfarë po kërkojnë nga Serbia dhe Kosova liderët evropianë është diçka që vetë Prishtina dhe Beogradi janë dakorduar, fillimisht në Bruksel, më 27 shkurt, dhe pastaj me aneksin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars, për atë që tashmë njihet si Marrëveshja Bazë.

“Tani presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mungesë të progresit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme”, paralajmëruan ata.

Olaf Scholz, Emmanuel Macron, Giorgia Meloni dhe Charles Michel

Asociacioni ka qenë gjithmonë tema e “nxehtë” në dialogun Kosovë-Serbi. I dakorduar që nga viti 2013, zbatimi i tij nuk ka marrë epilog asnjëherë, madje në Kosovë është përdorur për qëllime politike nga partitë, e posaçërisht nga ajo që tani ka pranuar një draft të propozuar nga BE, Lëvizja Vetëvendosje.

Nga ana tjetër, Serbia vazhdimisht e ka përdorur këtë si “armë” për ta akuzuar Kosovën se nuk po i zbaton marrëveshjet e nënshkruara, veçanërisht këtë, ndonëse vetë një numër të madh të tyre nuk i ka zbatuar.

Në deklaratën e përbashkët, Scholz, Meloni dhe Macron theksuan se i kanë marrë parasysh komentet e dy liderëve, përkatësisht Kurtit dhe Vuçiç-it, për statutin evropian për themelimin e Asociacionit në Kosovë dhe “gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar”.

“Draft-statuti që ne paraqitëm dhe miratojmë plotësisht, përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët”.

Liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë nënvizuan edhe një herë pritshmëritë që palët: “të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit”.

“Faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht në mënyrë hap pas hapi bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e përbashkët.

Çka tha Kurti pasi e pranoi draftin e Asociacionit?

Dikur si opozitar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kauzën më të madhe politike e kishte pasur kundërshtimin për Asociacionin. Madje, për ta kundërshtuar këtë, ai dhe partia e tij kishin organizuar protesta masive dhe kishte hedhur gaz lotsjellës brenda hapësirave të kuvendit.

Përveç këtyre, kjo parti në opozitë, kishte refuzuar që ta quante me ermin e tij zyrtar Asociacion apo Bashkësi. Kishin zgjedhur që ta emërtonin në gjuhën serbe “Zajdenica”. Edhe parulla më e famshme e tyre për këtë çështje kishte qenë “Zajdenica nuk kalon”.

Një nga organizimet e kryeministrit Albin Kurti, kundër Asociacionit.

Mirëpo, tani si Kryeministër, Albin Kurti ka pranuar që ta zbatojë Asociacionin. Kjo u konfirmua nga vetë ai, por edhe liderët evropianë, të cilët pohuan se Kurti u ka premtuar se do ta zbatojë këtë mekanizëm.

Në një konferencë për media të premten, së bashku me vartësin e tij, Besnik Bislimi, Kurti ka thënë se drafti për vetë-menaxhimin apo Asociacionin që e kanë sjellë “pesëshja e madhe” më 21 tetor është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Ky draft për vetë-menaxhim, sipas Kurtit, ka paraparë që e njëjta të kontrollohet nga Gjykata Kushtetuese menjëherë.

“Më 21 tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti.

Rezultatet e takimeve të së enjtes

Të enjten e 26 tetorit në Bruksel Kosova e ka pranuar draftin e propozuar nga Bashkësia Ndërkombëtare dhe përmes një deklarate pas takimit është shprehur e gatshme edhe që ta nënshkruajë pranimin e draftit, derisa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një deklarim para gazetarëve ka thënë se edhe Serbia është pro atij drafti të propozuar nga pesëshja e top-diplomatëve që vizituan Prishtinën dhe Beogradin me 21 tetor.

Në njoftimin e Qeverisë së Kosovës pas takimit me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni, konstatohet se Kurti ka deklaruar që “pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”.

Neni 7 i Marrëveshjes Bazike të pranuar me 27 shkurt thotë se Kosova dhe Serbia “pajtohen që të sigurojnë një nivel të përshtatshëm të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë… përfshirë edhe financim nga Serbia dhe kanal direkt komunikimi me Qeverinë e Kosovës”.

Kurse neni 10 i Marrëveshjes thotë se “të dyja palët konfirmojnë zbatimin e obligimeve nga Marrëveshjet e kaluara të dialogut”, që nënkupton zbatimin edhe të Marrëveshjes së vitit 2013 ku shpaloset për herë të parë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Ndërsa Vuçiç u kumtoi gazetarëve pas takimit se për statutin e Asociacionit të propozuar nga bashkësia ndërkombëtare me 21 tetor se “Serbia është e gatshme të punojë në të dhe të fillojë menjëherë zbatimin e tij”.

Përkundër se drafti i statutit nuk është bërë akoma publik zyrtarisht, 26 tetori shënon herën e parë që Kosova dhe Serbia janë në pajtim për të njëjtin draft për Asociacionin.

Pas takimit pati një adresim edhe nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili njoftoi se palëve iu prezantua “një model serioz evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” dhe një plan për avancimin përpara.

Palët, siç tha Borrell, kanë pasur parakushte për planin përpara, “por ne do të insistojmë në një pajtim”.

Çka përmban drafti evropian për Asociacionin?

Albanian Post e ka parë statutin e Asociacionit të propozuar nga ndërkombëtarët dhe ai është shumë i përafërt me atë që ka propozuar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Statuti i pranuar, të cilin e ka parë AP, ka të adresuara shqetësimet e opinionit të Gjykatës Kushtetuese dhe për t’u hartuar janë konsultuar Marrëveshja e vitit 2013, ajo e vitit 2015, opinioni i Kushtetueses, letra e Kurtit për vizionin e tij për vetë-menaxhimin e publikuar në llogarinë e tij në Facebook me 2 maj të këtij viti dhe disa drafte të tjera të propozuara nga organizata jo qeveritare, siç ishte ai i FES-it.

Meqë shqetësimet e Gjykatës Kushtetuese në opinionin për Parimet e Përgjithshme të vitit 2013 ishin se mos Asociacioni merr pushtet nga nivelet tjera siç është Qeveria, apo Komunat, apo se mos përbën një institucion ekskluziv për të mbrojtur dhe promovuar komunitetin serb në Kosovë, atëherë statuti i ri e nxjerr Asociacionin si një institucion të ri publik në Kosovë, por që nuk ia prekë pushtetin as komunave e as Qeverisë, vetëm se angazhohet në zbatimin e detyrave në fusha të caktuara, me theks: arsim dhe shëndetësi.

Është sqaruar po ashtu edhe termi problematik “full overview”, i cili në shqip ishte përkthyer si “vëzhgim” e në serbisht si “auditim”.

Në statutin e ri “full overview” nënkupton administrim të Asociacionit në zhvillim ekonomik, shëndetësi, arsim, planifikim urban dhe rural dhe disa fusha të tjera.

Asociacioni do të ketë të drejtë të punësojë edhe staf dhe ata do të quhen “shërbyes civilë”.

Statuti rregullon edhe pagesën, donacionet dhe shërbime të tjera që Serbia ia ofron direkt Asociacionit. Rregullohet edhe raporti me Qeverinë e Kosovës.

Përkundër adresimit të shqetësimeve të Kushtetueses, statuti i ri duhet të validohet nga Gjykata Kushtetuese, ashtu siç ishte paraparë në Marrëveshjen për Parimet të vitit 2015.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore