Kosova

Bieber: Serbia s’po sanksionohet meqë i ka shitur armatim Ukrainës


Florian Bieber, profesor në Universitetin e Grazit në Austri

Një nga arsyet përse Bota Perëndimore nuk po i vendos sanksione Serbisë, as pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit është për faktin se ka fituar terren duke u treguar konstruktive me shitjen e armëve për Ukrainën, ka thënë Florian Bieber, profesor në Universitetin e Grazit në Austri, në një intervistë për mediumin malazez Vijesti.

Ai deklaron se fillimisht ishte i habitur me mungesën e sanksioneve, por arsyeja mund të jetë pikërisht shitja e armëve Ukrainës.

Prandaj, pohon se “nuk shoh vullnet për të kritikuar hapur dhe qartë Aleksandër Vuçiçin”.

“Është e mundur që kjo (mos-vendosja e sanksioneve për Serbinë) të jetë për shkak të pamjes më të gjerë gjeopolitike, pasi, edhe pse Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ajo vazhdon t’i shesë municion Ukrainës”, tha Bieber.

Gjithashtu, Bieber shton se Perëndimi po përpiqet të zvogëlojë ndikimin e Rusisë në Serbi me shpresën se Vuçiç do të tregohet properëndimor në fund të fundit, dhe nga ana tjetër, “ai kërkon të lejohet të prodhojë destabilitet të kontrolluar”.

“Vuçiç i thotë Perëndimit historinë se është garantuesi i stabilitetit, se pa të nuk ka asgjë dhe në të njëjtën kohë thotë se, nëse humbet mbështetjen, mund të ndikojë në paqëndrueshmërinë e të gjithë rajonit”, shtoi ai.

Por, Bieber thotë se kjo qasje duhet të përfundojë.

“Vuçiç nuk mund të jetë njëkohësisht lider i bashkëpunimit rajonal në rrugën zyrtare dhe sabotimi i stabilitetit në rrugën jozyrtare”.

Për studiuesin nga Luksemburgu që njeh mirë historinë dhe dinamikat në Ballkan, rasti në Banjë nuk ishte një sulm me rreze të izoluar Kosovë – Serbi.

“Me Banjën edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut e kuptuan se sa shumë kërcënohej stabiliteti i tyre”.

Fshati Banjë 

Çfarë ndodhi në Banjë më 24 shtator?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga sulmi, përkundrazi, ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore