Kosova

Kurti, Cleverlyt: Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist të 24 shtatorit


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Sekretari i Jashtëm të Britanisë së Madhe, James Cleverly

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, James Cleverly, me të cilin ka biseduar për situatën në Veri të Kosovës pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

“Diskutuam situatën aktuale me të cilën përballet Kosova. Theksova nevojën për të mbajtur Serbinë përgjegjëse për sulmin terrorist dhe shkeljet e tjera dhe theksove rëndësinë e mbështetjes së sigurisë së Kosovës”, shkroi Kurti në platformën X.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, tanimë heroin Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua nga autoritetet serbe, mirëpo i njëjti një ditë më pas është liruar nga paraburgimi.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë. Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore