Kosova

Lidington: Situata në Veri shumë e rrezikshme


Ish-zëvendëskryeministëri i Qeverisë Britanike, David Lidington

Ish-zëvendëskryeministëri i Qeverisë Britanike, David Lidington, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se situata në Veri të Kosovës “është shumë e rrezikshme”, derisa është shprehur se rrëfimet shumëvjeçare për shkëmbimin e territoreve, “kanë kontribuar në rritjen e pasigurisë”.

“Mendimi im është që kufijtë e Kosovës, të cilët njihen nga shumica e vendeve të BE-së, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, duhet të pranohen si të tillë, por edhe Serbia edhe Kosova duhet të gjejnë një mënyrë për të jetuar pranë njëra-tjetrës, si dhe të zotohen për respektimin e traditave fetare dhe kulturore të pakicave dhe vendet e shenjta që ndodhen në territoret e tyre”.

Politikani anglez ka theksuar se është e drejt të kërkohet nga Qeveria e Kosovës që t’i respektojë vendet e shenja ortodokse, por sipas tij, një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe Serbia.

“Prandaj, është e drejtë t’u thuhet autoriteteve në Prishtinë se duhet t’i respektojnë vërtet vendet e shenjta ortodokse që tani janë në territorin e Kosovës dhe se duhet t’i respektojnë traditat kulturore serbe. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për Beogradin kur bëhet fjalë për pakicat dhe traditat e tyre brenda Serbisë”, shtoi ai.

“Mendoj se kjo është rruga përpara. Ka vendime që duhet t’i marrin liderët e Kosovës dhe vendime që duhet t’i marrë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç”.

Teksa ka folur për presidentin rus, Vladimir Putin, ka thënë se ky i fundit do të bëjë gjithçka që mundet për t’i ndaluar vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.

Ndryshe, Lidington nga viti 2010 deri në vitin 2016 shërbeu si ministër për Çështjet Evropiane në Qeverinë e David Cameronit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore