Kosova

Roth: Dhuna dhe provokimet e Serbisë duhet të ndalen – Kosova meriton paqe


Micheal Roth

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të parlamentit gjerman (Bundestag), Micheal Roth, pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka thënë se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit (18 mars) është vendimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Roth ndër të tjera ka thënë se provokimet e Serbisë – dislokimi i ushtrisë përgjatë vijës kufitare – dhe dhuna në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duhet të marrin fund menjëherë. Ai ka shtuar se edhe Kosova edhe Serbia duhet t’i qasen në mënyrë konstruktive procesit të dialogut nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

“Gjë e mirë takimi me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca. Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit është vendimtar. Provokimet e Serbisë dhe dhuna duhet të marrin fund menjëherë. Serbia dhe Kosova duhet të veprojnë në mënyrë më konstruktive për të çuar përpara procesin e normalizimit. Populli i Kosovës meriton paqe”, ka shkruar Roth të martën.

Në fillim të muajit shtatorit, kryeligjvënësi gjerman për marrëdhënie me jashtë kishte qëndruar në Prishtinë, ku ka zhvilluar takime me krerët institucionalë dhe një pjesë të shoqërisë civile. Roth ishte në mesin e nënshkruesve të letrës së dhjetëra ligjvënësve evropianë në mbështetje të Kosovës dhe kundër destruktivitetit të Serbisë.

Konjufca takohet me Roth, në fokus situata e sigurisë dhe raportet bilaterale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore