Kosova

Konjufca takohet me Roth, në fokus situata e sigurisë dhe raportet bilaterale


Glauk Konjufca dhe Micheal Roth

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në kuadër të vizitës së tij në Gjermani, ka takuar të martën kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të parlamentit gjerman (Bundestag), Micheal Roth dhe ligjvënës tjerë për marrëdhënie me jashtë, ku në fokus të diskutimeve ka qenë situata e sigurisë në Kosovë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Takime shumë pozitive me Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme. Bisedova për zhvillimet e fundit të sigurisë, mundësitë për shkëmbimin e përvojave parlamentare dhe mënyrat për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve tashmë të forta dypalëshe midis Kosovës dhe Gjermanisë”, ka shkruar kryetari Konjufca.

Në fillim të muajit shtatorit, kryeligjvënësi gjerman për diplomaci kishte qëndruar në Prishtinë, ku ka zhvilluar takime me krerët institucionalë dhe një pjesë të shoqërisë civile. Roth ishte në mesin e nënshkruesve të letrës së dhjetëra ligjvënësve evropianë në mbështetje të Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Ndryshe, kryparlamentari Konjofca më herët ka zhvilluar një takim edhe me homologen gjermane, Barbel Bas, të cilën e ka falënderuar për mbështetjen e Gjermanisë, posaçërisht për qëndrimin e qartë ndaj sulmit terrorist të paramilitarëve serbë në fshatin Banjë të Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore