Kosova

Për Hill-in nuk është akoma e qartë se çfarë ndodhi në Banjë


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se ai duhet ta dijë saktësisht çfarë ka ndodhur gjatë sulmit terrorist në Banjë më 24 shtator që një gjë e tillë të mos përsëritet më.

“Pa një marrëveshje politike ne nuk mund të ecim përpara dhe të zgjidhim probleme të tilla”, u tha ai gazetarëve në Konferencën Rajonale për Inovacionin dhe Sipërmarrjen, raportojnë mediat serbe.

Diplomati amerikan theksoi se një nga elementët e zgjidhjes politike për Kosovën duhet të jetë perspektiva rajonale, gjegjësisht një qasje rajonale për zgjidhjen e problemeve dhe që njerëzit të krijojnë besim dhe të punojnë së bashku për problemet.

“Unë gjithashtu besoj se disa politikanë duhet të vijnë dhe të shohin se cila është qasja për zgjidhjen e problemeve në Kosovë”, shtoi Hill.

Por, Sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Antony Blinken, dënoi ashpër “sulmin e koordinuar” në hyrje të fshatit Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – ku një grup i armatosur qëlloi me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke shuar jetën e një zyrtari policor.

Blinkeni pati bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga, siç tha ai, çdo veprim apo retorikë që mund të nxisë tensionet dhe të punojnë menjëherë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë për të de-përshkallëzuar situatën, për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit dhe për t’u kthyer në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve nën kujedsin e Bashkimit Evropian (BE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore