Kosova

Kurti: Serbia tentoi që të kopjojë skenarin e Donbasit me qëllim të pushtimit të veriut


Në kuadër të Konferencës së Partisë Laburiste që po mbahet në Liverpool, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit.

Kurti u shpreh se Serbia, si një aleate e Rusisë, tentoi që të kopjojë “skenarin e Donbasit” me qëllim të pushtimit të veriut, derisa sipas tij, “rritja e pranisë ushtarake serbe në kufirin me Republikën e Kosovës u përshkrua si e paprecedentë nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë”.

“Pamjet e sekuestruara nga dronët që ishin në posedim të grupit terrorist zbuluan se trupat paramilitare ishin trajnuar në bazat zyrtare të ushtrisë serbe, duke dëshmuar kështu në mënyrë të pakundërshtueshme përfshirjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë në planifikim të sulmit që u krye dy javë më parë në Banjskë, me 24 shtator”, tha Kurti.

Megjithatë, kryeministri theksoi se e tashmja dhe e ardhmja e Kosovës, sikurse as paqja dhe siguria e Evropës nuk mund të mbahen peng nga Serbia, dhe se perspektiva për paqe, drejtësi, dhe prosperitet në një kohë me plotë sfida, “varet nga ajo çka zgjedhim të bëjmë dhe si zgjedhim të veprojmë së bashku”.

Po ashtu ai gjatë fjalimit të tij u shpreh i nderuar për mundësinë që t’i drejtohet me një fjalim pjesëmarrësve në konferencë.

“Ndikimi i Partisë Laburiste në fatin e Kosovës ka qenë i rëndësishëm dhe i madh”, deklaroi kryeministri në krye të herës.

“Në vitin 1999, nën udhëheqjen e Tony Blair, Mbretëria e Bashkuar ishte pjesë e intervenimit ushtarak të NATO-s, për të ndaluar vazhdimin e fushatës gjenocidale nga forcat serbe… pastaj në shkurt të vitin 2008, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Mbretëria e Bashkuar, me Gordon Brown si kryeministër, ishte një nga vendet e para që njohën shtetësinë e Kosovës”, potencoi ai.

Teksa shpalosi sukseset e Kosovës dhe arritjet e deritanishme të qeverisjes, kryeministri Kurti theksoi se edhe pse shtet për një kohë jo shumë të gjatë, Kosova po dëshmon se intervenimi i NATO-s dhe një shtet i sapoformuar mund t’i japin jetë një demokracie të plotë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore