Kosova

Macneter: Serbia ta zvogëlojë fuqinë e saj ushtarake në kufi, Kosova t’i respektoj të drejtat e pakicave


Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Austrisë, Christoph Macneter

Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Austrisë, Christoph Macneter, në një intervistë për medium serb Danas, ka folur për sulmin terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Macneter theksoi se “është e trishtueshme” që përsëri në Ballkan, në qendër të Evropës, “po shohim dhunë”, derisa ka theksuar se shpreson që situata të qetësohet në Veri të Kosovës.

“Shpresoj se në të ardhmen do të ketë një de-eskalim të situatës, prandaj shpresoj që Qeveria e Serbisë do të zvogëlojë fuqinë e saj ushtarake në kufi dhe se zgjidhja e konfliktit do të gjendet në mënyrë paqësore, tha Macneter.

Sipas tij në Kosovë ekziston një komunitet i rëndësishëm i minoritetit serb dhe nëse shtetet evropiane e kanë njohur Kosovën, “atëherë duhet të bëjnë presion mbi Prishtinën përmes masave diplomatike dhe të tjera për të respektuar të drejtat e pakicave”.

“Liderët në Kosovë nuk tregojnë një dëshirë të vërtetë për të pranuar të gjitha të drejtat e pakicave dhe mosmarrëveshjet në këtë fushë vazhdojnë. Shumë vende në Perëndim nuk e mbështesin politikën aktuale të Prishtinës dhe shpresojmë se do të gjendet një zgjidhje paqësore”.

Ai vuri në pah se Austria “po e vëzhgon Serbinë” se si po reagon ndaj situatës me Rusinë dhe nëse Beogradi “do të jetë një aleat i ri i Vladimir Putinit apo nëse do të vazhdojë rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian”.

“Nuk mund të ketë përfundime të nxituara dhe të pabaza, nuk është ndonjë bast futbolli, por pyetja se në çfarë kuadri ligjor dëshiron të jetosh. Domethënë, a do të keni një demokraci, një shoqëri të hapur dhe liberale pa kufij shtetërorë, apo krejt e kundërta”.

“Ky është një vendim që Beogradi duhet ta marrë dhe ai duhet të ndikohet vetëm nga stili i jetesës që do të kenë njerëzit – nëse do të vendosin vetë se si duan të jetojnë dhe nëse duan një sistem të ngjashëm me atë që çoi në konflikte të përgjakshme në këtë pjesë të Evropës”, potencoi Macneter.

Politikani austriak shtoi se Vjena ka qenë dhe mbetet gjithmonë “mike e Serbisë” në rrugën evropiane dhe theksoi se kryeqyteti austriak, por edhe Brukseli duan të shohin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor si anëtarë të plotë të Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore