Kosova

Radovanoviç: Shteti i Serbisë qëndron prapa sulmit terrorist në Banjë


“Mendoj se shteti i Serbisë qëndron pas asaj që ndodhi në Banjë të Kosovës dhe ne ende nuk i kemi parë kthesat emocionuese të dramës tashmë të përgjakshme”, thotë në një intervistë për The Geopost, gazetari dhe publicisti Rade Radovanoviç.

Ai beson se ngjarjet e fundit në Banjë nuk janë organizuar me iniciativën personale të Milan Radojeçiçit, pavarësisht se çfarë thotë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Ai (Radojeçiç) është zbatues i një nisme të caktuar, mendoj, shtetërore që mund të përkufizohet edhe si parashtetërore, pra shteti i Serbisë, dhe pastaj si i tillë është dëshmitar i rrezikshëm sepse nuk ka gjasa që sipas kushteve të caktuara të procedurës së drejtë, një dëshmitar i tillë do të pajtohej me çdo gjë dhe për çdo gjë, të mbronte dikë që miratoi dhe ishte në dijeni, e ai është Aleksandër Vuçiç”, tha ai.

Radovanoviç thekson se shteti i Serbisë është pothuajse pronë private e një autokrati, i cili në kushte të tilla është edhe prokurori, edhe gjykatësi, edhe shteti edhe media.

“Propaganda e tillë vazhdon sepse nacionalizmi që çon në shovinizëm drastik, veçanërisht ndaj shqiptarëve, dhe këtë jam përpjekur ta trajtoj në librin tim që trajton luftën në Kosovë në vitet 1998/99, është terren pjellor për rindezjen, ndezjen e të gjithë ekstremizmit, dhe mbi të gjitha, i nacionalizmit dhe shovinizmit”.

Sipas tij, lirimi i kriminelit Radojeçiçit nga paraburgimi është në fakt një mesazh logjik i dërguar publikut vendor, evropian dhe botëror.

“Në Serbi ashtu siç është, është një parashtet, një pronë pak a shumë private e një njeriu, Aleksandër Vuçiçit, ku ai sundon sipas motos së vjetër franceze shteti jam unë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore