Kosova

Roth – Vuçiçit: Vrasja e njerëzve është krim i tmerrshëm


Micheal Roth

Kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Gjermanisë (Bundestag), Michael Roth, derisa ka komentuar paraqitjen propagandistike televizive të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me vrasjen e një pjesëtari të Policisë së Kosovës nga një bandë terroriste në pjesën veriore të vendit të banuar me serbë etnikë, ia ka kujtuar se vrasje e njerëzve është krim i rëndë.

“Vrasja e njerëzve është një krim i tmerrshëm. Për mua nuk ka rëndësi se nga vijnë viktimat dhe autorët. Nuk më interesojnë fare kombësitë apo etnitë. Edhe kosovarët edhe serbët meritojnë të jetojnë në paqe, siguri, dinjitet, liri dhe kufij të sigurt”, ka shkruar deputeti gjerman në llogarinë e tij zyrtare në platformën “X” të dielen në mbrëmje.

Më herët, derisa ka komentuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në pjesën veriore të territorit, deputeti gjerman kishte shprehur kureshtjen për të parë se çka ka për të thënë presidenti serb lidhur me këtë rast, duke shtuar se bandat kriminale me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Beogradit janë përsëri përgjegjëse për aktet e dhunës në veriun e trazuar të Kosovës.

“Dhuna brutale thjesht nuk mbaron kurrë. Tani ka vdekur një polic kosovar. Bandat serbe me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Beogradi ndoshta janë përsëri përgjegjëse për këtë. Jam kurioz të shoh se çfarë justifikimi mund të nxjerrë presidenti Vuçiç këtë herë”, ka shkruar deputeti gjerman para konferencës së Vuçiçit në Beograd.

Një zyrtar i Policisë së Kosovës është vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur pas sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit mëngjesin e hershëm të së dielës nga një grup terrorist i armatosur rëndë, ndërsa autoritetet kosovare kanë thënë se sulmi ndaj shtetit të Kosovës është realizuar me mbështetjen e shtetit të Serbisë.

Policia e Kosovës ka njoftuar mbi bilancin e operacionit në Manastirin e Banjskës, ku janë vrarë tre terroristë, janë arrestuar gjashtë persona me uniforma ushtarake dhe të armatosur rëndë, katër prej të cilëve dyshohen se kanë bashkëpunuar me grupin kriminal. Gjithashtu, në objektin e Manastirit të Banjskës është kapur edhe një sasi e konsiderueshme e armëve.

Shtetet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca, Italia dhe Britania e Madhe) dhe BE-ja kanë dënuar ashpër vrasjen e policit kosovar, Afrim Bunjaku, ndërsa autoritetet kanë njoftuar se kanë qenë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e policë, të cilët janë neutralizuar nga forcat policore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore