Kosova

MPJ-ja ruse: Marrëveshja Kosovë-Serbi do jetë e zbatueshme nëse palët arrijnë dakordim në mënyrë të pavarur


Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov.

“Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë e zbatueshme vetëm nëse palët arrijnë një marrëveshje në mënyrë të pavarur, pa zgjidhje të gatshme të imponuara nga jashtë”, ka thënë Ministria e Punëve të Jashtme të Federatës Ruse.

Këto komente MPJ-ja ruse i ka bërë përmes një postimi në rrjetin social X, në një kohë kur vendet perëndimore kanë shtuar përpjekjet e tyre diplomatike për të gjetur një zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tyre, situata në Kosovë “duhet të zgjidhet në bazë të rezolutës 1244 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”.

“Ne e kundërshtojmë idenë e ndryshimit të mandatit të Misionit të OKB-së në rajon dhe mbrojmë ruajtjen e natyrës së rregullt të mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë të OKB-së për çështjen e Kosovës”.

Ky reagim i Federatës Ruse vjen në një periudhë kur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas pushimeve të verës kanë ri-filluar përpjekjet e tyre për të gjetur një zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë kontekst ishin edhe takimet që së fundmi Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i zhvilloi me kryeministrin kosovar Albin Kurti, dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç.

Ndërsa, më 14 shtator, siç ka njoftuar Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, me ndërmjetësimin e Unionit do të mbahet takimi i nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Në çështjen e pazgjidhur në mes Prishtinës dhe Beogradit, Rusia gjithmonë ka qenë kundër Kosovës, rrjedhimisht në përkrahje të Serbisë – aleates së saj historike.

Përkrahja nuk ka munguar as anasjelltas.

Në një kohë kur i gjithë perëndimi i ka vendosur sanksione Rusisë, për shkak të agresionit të saj në Ukrainë, Beogradi është një nga vendet e pakta në kontinentin e vjetër që ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë, pavarësisht kërkesave të shumta nga BE dhe ShBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore