Hovenier takon Maqedoncin: Pres të bashkëpunojmë për tranformimin e FSK-së në një forcë mbrojtëse multietnike
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier është takuar gjatë ditës së sotme, me ministrin e ri të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Përmes një cicërime në llogarinë e tij të Twitter/X, Hovenier ka shprehur vullnetin e tij për të pasur bashkëpunim e partneritet të ngushtë me ministrin e ri, duke e theksuar tranzicionin 10-vjeçar të Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Kënaqësi që sot pasdite u takova me ministrin e ri të Mbrojtjes Ejup Maqedonci. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin dhe partneritetin tonë të ngushtë, veçanërisht në mbështetje të tranzicionit 10 vjeçar të FSK-së në një forcë mbrojtëse territoriale multi-etnike, profesionale, të ndërveprueshme nga NATO”, shkroi Hovenier.
Minsitri i ri i Mbrotjes së fundmi është takuar edhe me Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, i cili po ashtu e ka përgëzuar Maqedoncin në misionin e ri, derisa ka theksuar se pret forcim të marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes.
“Ne presim të vazhdojmë forcimin e marrëdhënieve tona të shkëlqyere dypalëshe në fushën e mbrojtës”, pati shkruar shkurtimisht Abbott në rrjetin e tij social në Facebook.
Përndryshe, Ejup Maqedonci më 8 gusht e mori detyrën e ministrit të Mbrojtjes, pasi po atë ditë Armend Mehaj dha dorëheqje për arsye familjare.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com