Kosova

Ministri i Mbrojtjes takohet me komandantin e KFOR-it, diskutojnë për situatën e sigurisë në vend


Ejup Maqedonci dhe Angelo Michele Ristuccia

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të hënën ka pritur në takim komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, me të cilin, sipas njoftimit të ministrisë, ka diskutuar lidhur me situatën e sigurisë në vend dhe integrimin në organizatat euroatlantike.

Komandanti i KFOR-it fillimisht i uroi ministrit Maqedonci sukses në punë gjatë mandatit të tij, thuhet ndër të tjera në njoftimin, ndërsa ky i fundit shprehu falënderimin për vizitën e tij si dhe mirënjohjen për kontributin e KFOR-it, në shërbim të sigurisë së vendit por edhe në sigurinë rajonale.

“Gjithashtu, ministri Maqedonci e njoftoi Gjeneralin Ristuccia, lidhur me proceset aktuale si dhe synimet për të ardhmen, ku një ndër objektivat kryesore është integrimi në organizatat euroatlantike”, nënvizohet në njoftimin e lëshuar për media nga Ministria e Mbrojtjes.

Të dy bashkëbiseduesit përveç tjerash theksuan se bashkëpunimi i ngushtë mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) me KFOR-in do të vazhdojë edhe më tej në kuadër të mandateve që kanë, në shërbim të sigurisë së gjithë qytetarëve të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore