Kosova

Deynychenko: Narrativa e propagandës ruse për trafikimin e organeve në Ukrainë, e njëjtë si në Kosovë


Bashkëthemeluesi i projektit ukrainas “Stop Fake”, Ruslan Deynychenko

Bashkëthemeluesi i projektit ukrainas “Stop Fake”, Ruslan Deynychenko në një intervistë për The Geopost, ka folur për fushatën e dezinformimit dhe propagandën ruse.

Sipas tij, njerëzit që qëndrojnë pas propagandës ruse përdorin të njëjtat “metoda të vjetra” që kanë përdorur në konfliktet e mëparshme në Ballkan, Kosovë, Serbi dhe rajone të tjera, dhe se tema të ndjeshme si trafikimi i organeve bëhen objektiv të fushatës ruse të dezinformimit.

“Ndonjëherë mendoj se njerëzit në Rusi që krijojnë narrativa propagandistike, përdorin “metoda të vjetra”, që i përdornin në shtetet e Ballkanit, në Kosovë, në Serbi dhe vende të tjera, ndoshta ata vendosën se ishte një operacion i suksesshëm, kështu që i ripërdorin të gjitha këto raste në Ukrainë, me një qëllim të ri”, tha ai.

“Ata e krijuan këtë falsifikim në vitin 2014 dhe u përpoqën të bindin njerëzit se ushtarët e ushtrisë ukrainase kryqëzuan një djalë të vogël para turmës në qytetin e Slovyansk. Sigurisht, ishte një gënjeshtër, por kjo gënjeshtër e ndihmoi televizionin rus të bindë popullsinë e tyre, njerëzit e tyre, rusët në Rusi se kjo është e vërtetë dhe shumë njerëz në Rusi lanë shtëpitë e tyre, familjet e tyre, punët e tyre, morën mitralozët dhe shkuan në Ukrainë, donin të mbronin fëmijët në rajonet rusishtfolëse të Ukrainës nga të ashtuquajturit nazistë ukrainas”, ka shpjeguar Deynychenko.

Deynychenko ka theksuar se propaganda dhe dezinformata ruse funksionon jo vetëm në Ukrainë, pasi Qeveria ruse shpenzon miliarda dollarë për të krijuar makineri propagandistike dhe nuk janë vetëm RT (Russia Today) ose Sputnik apo media të tjera që ne i shohim.

“Ata shpenzojnë shumë para në të ashtuquajturat ferma troll, ata shpenzojnë shumë para në kanalet Telegram dhe nuk është gjithmonë e lehtë t’i shohësh, t’i monitorosh, t’i gjurmosh, kështu që rekomandimi im, jo vetëm për shtetet e Ballkanit, por për të gjitha vendet e tjera do të ishte, mos i injoroni këto probleme, sepse një ditë mund të zgjoheni dhe të shihni nga dritarja se njerëzit vrasin njëri-tjetrin me mitralozë sepse dikush i bindi të urrejnë njëri-tjetrin për shkak të racës, besimit ose gjuhës së ndryshme që flasin”.

Ai ka potencuar se bota e di se Rusia përdor mediat e saj si një platformë dezinformimi si një mjet për prodhimin dhe shpërndarjen e falsifikimeve dhe gënjeshtrave.

Ndërkaq ditë më parë zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, në një editorial të mbushur plot propagandë dhe të pavërteta, ka hedhur akuza në drejtim të Ukrainës se gjoja po merret me trafikimin e organeve të viktimave të luftës, madje në bashkëpunim me ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një editorial të botuar të hënën në gazetën ruse që mbi të gjitha shërben për përhapjen e propagandës dhe dezinformatave nga Qeveria e Rusisë, ajo shkruan se “Ukraina është e njohur si lidere botërore në trafikimin e organeve” për një kohë të gjatë, ndërse ka tentuar që këto pretendime t’i ndërlidhë me luftën e UÇK-së.

Ajo ka pretenduar se individë të UÇK-së mund të kenë lidhje apo merren me trafikimin e organeve, ndërsa ka përmendur edhe gjyqin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish–drejtuesve tjerë të UÇK-së që ka nisur në muajin prill në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë të Holandës.

Makineria propagandistike e Rusisë: Ukraina – lidere në trafikimin e organeve, bashkëpunon edhe me UÇK-në

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore