Kosova

Stojkoviç: Sanksionet ndaj Kosovës do të përdoren nga ekstremistët në Beograd në favor të politikës nacionaliste dhe pro-ruse


Çedomir Stojkoviç

Avokati serb, Çedomir Stojkoviç, në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “Kosova Press”, ka thënë se “masat ndëshkuese” të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës do të përdoren nga regjimi anti-perëndimor në Serbi në favor të Rusisë dhe politikave nacionaliste e shoviniste serbe.

“Unë jam qytetar i Serbisë dhe mund të flas për vendin tim. Ajo që mund të them është se nëse BE-ja dhe SHBA-të vendosin sanksione kundër Kosovës, ekstremistët në vendin tim do ta përdorin atë për qëllime të tyre. Dhe kjo është arsyeja pse kjo është diçka e keqe”, ka thënë fillimisht Stojkoviç.

Një varg “masash kufizuese” tepër serioze janë shpallur tashmë nga BE-ja dhe SHBA-të ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri Albin Kurti për uljen e tensioneve në veriun e territorit të banuar me shumicë serbe, por sipas avokatit serb, ato duhet t’i vendosen Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiç.

“Nëse jeni nën sanksione, regjimi pro-rus në Beograd dhe regjimi anti-perëndimor në Beograd, do ta përdorin atë në favor të Rusisë, në favor të politikës nacionaliste, në favor të politikës shoviniste. Nuk më pëlqen ideja që të ketë sanksione kundër Kosovës, sepse e di që Vuçiç do ta përdorë në mënyrën më të keqe të mundshme”.

Avokati serb ka thënë se presidenti Vuçiç ka nevojë gjithmonë për tensione, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës, ngase vetëm në këtë mënyrë mund të mbajë dhe të shpetojë pushtetin, ndërsa ka shtuar se kjo duhet t’i qartësohet edhe bashkësisë së organizuar ndërkombëtare.

“Pra, ai ka nevojë për tensione për të shpëtuar pushtetin. Ai ulet vetëm në një karrige që nga fillimi dhe kjo është karrigia ruse dhe gjithçka tjetër është vetëm një maskë, është vetëm një gënjeshtër, është thjesht mashtrim. Ai është djalosh rus, ai është njeriu rus dhe të gjithë e pamë këtë që nga fillimi i luftës në Ukrainë”.

Autoritetet kosovare janë në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e “masave ndëshkuese”, pas ujdisë së arritur në Bratisllavë të Sllovakisë mes Kosovës dhe BE-së për qetësimin e situatës në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – por nga BE-ja kanë thënë se janë në pritje të hapave të mëtejshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore