Kosova

14 vjet që kur Ahtisaari dorëzoi raportin për pavarësinë e Kosovës


Martti Ahtisaari

Me 26 mars, janë bërë 14 vjet që kur ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, dërgoi raportin përfundimtar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në të cilin thoshte se Kosova duhej të bëhet e pavarur.

Plani i Ahtisaarit gjeti mbështetje te Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Shteti Serb në anën tjetër refuzonte propozimin e finlandezit.

Rusia bëri deklarata që mund të interpretohen si kundër pavarësisë, por nuk përmendi përdorimin e vetos.

Tri ditë më vonë, më 29 mars 2007, Parlamenti Evropian miraton një rezolutë me 490 vota pro, 80 kundër dhe 87 abstenime, ku shprehej përkrahja për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën.

Çka është Pakoja e Ahtisaarit?

Plani i Ahtisaarit, i njohur në publik si Pakoja e Ahtisaarit është dokumenti që ka vendosur konturat e përgjithshme të shtetit të Kosovës.

Strukturalisht dokumenti është i përbërë nga dymbëdhjetë anekse.

Shtojcat e aneksit të tretë përfshijnë shtyllat kryesore dhe kornizat e shtetit të Kosovës.

Aneksi i parë ka të bëjë me dispozitat Kushtetuese, që në vete paraqet përbërjen e kushtetutës së Kosovës.

Nga këtu paraqiten edhe shtyllat e pushtetit shtetëror, përbërja e qeverisë, parlamentit, sistemit të drejtësisë, liritë dhe të drejtat e njeriut etj.

Aneksi i dytë flet për të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Segment ky mjaft i ndjeshëm mbi bazën e të cilit është e ndërtuar edhe vetë Pakoja e Ahtisaarit. Ky aneks paraqet pozitën e komuniteteve pakicë në Kosovë, me theks të veçantë atë të komunitetit serb dhe është ndër çështjet që i është kushtuar vëmendje e posaçme.

Së bashku me të drejtat e komuniteteve, hapësirë të theksuar ka edhe decentralizimi, i cili është i përmbledhur në kuadër të aneksit të tretë, ku në detaje pasqyrohet modeli i qeverisjes lokale dhe karakteristikat e tjera të cilat i ngërthen në vete ky lloj i decentralizimit.

Sistemi gjyqësorë është pjesë e Aneksit të katërt. Kurse në atë të pestin trashëgimia fetare dhe kulturore edhe këtu me interes të veçantë për komunitetin serb.

“Borxhi ndërkombëtar” dhe “Prona dhe arkivi” përbëjnë aneksin e gjashtë dhe të shtatë.

Sektori i sigurisë, si një ndër sektorët shumë të rëndësishëm për një shtet të ri, është i sistemuar në aneksin e tetë. Këtu përcaktohen në vija të trasha dukja e mekanizmave kyç të kësaj fushe.

Prezenca Ndërkombëtare, duke përfshirë këtu prezencën civile, në fushën e drejtësisë dhe atë ushtarake pasqyrohen në aneksin e nëntë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë.

Aneksi dymbëdhjetë përfshin agjendën legjislative, që në vete ngërthen ligjet që dalin nga pakoja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore