Kosova

Familjari i tre të vrarëve në masakrën e Krushës: Vetëm një serb është dënuar për krimet e bëra


Selami Hoti një ndër familjarët që humbi babanë, trupi i të cilit ende nuk është gjetur dhe dy vëllezërit e tij në këtë masakër, ka thënë se janë edhe dhjetëra familje që pësuan në këtë masakër shkaku se “Serbisë i kanë penguar si shqiptarë”. Ai ka thënë se edhe 22 vjet pas kësaj masakre vetëm një serb është dënuar.

“Kjo ditë ngjallë emocionin e asaj se çfarë ka ndodhur në këtë fshat, ku mbetën të vrarë 241 njerëz dhe trupat e 64 viktimave ende nuk janë gjetur”, ka thënë Hoti për Albanian Post.

Lidhur me këtë ngjarje deri më tani është marrë vetëm një vendim mbi një të dyshuar për krime lufte, i cili është dënuar me disa vite burgim por që sipas kryetarit Hoti, dënimi i tij “është qesharak”.

“Fatkeqësisht askush deri më tani nuk është dënuar për këtë krim, nga dy rastet dyshohet se është marrë njëri menjëherë pas lufte, Sava Matiç, ndërsa tani Darko Tasiç”.

“I pari nuk është dënuar fare ndërsa ky i dyti ka marrë një vendim njëherë 22 vjet pastaj Gjykata e Apelit e ka përgjysmuar atë dënim në 11 vjet edhe përkundër që kemi bërë ankesë, ai dënohet për krimin që e ka bërë në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël, vetëm me 11 vjet”, tha ai.

22 vjet më parë, pikërisht me 25 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë e Madhe në Rahovec, nisi një ndër masakrat më të mëdha të shkaktuara nga regjimi serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Nga kjo ngjarje shumë nëna kanë humbur fëmijët e tyre, e shumë fëmijë janë ndarë nga prindërit duke mbetur të vetmuar.

“Shtatë familje kanë mbetur pa trashëgimtarë, shtatë fëmijë janë vrarë , disa femra të vrara të moshave të ndryshme, njëra nga të cilat ishte edhe shtatzënë, dhe 510 fëmijë kanë mbetur bonjakë”, tregoi ai.

Duke e kujtuar atë ditë, Hoti thotë se gjatë asaj kohe kur ka ndodhur masakra nuk ishte në fshat, dhe sipas tij edhe atë do ta priste i njëjti fat ashtu sikur familjarët dhe bashkëfshatarët e tij.

“Ndoshta edhe unë do të isha një numër më shumë në listën e të vrarëve”, shtoi ai.

Lufta e vitit 1999 në Kosovë, e në veçanti në këtë fshat, ka lënë dëme të mëdha sepse serbët nuk janë mjaftuar vetëm me gjenocid, ata kanë vazhduar edhe me djegien e shkatërrimin e shtëpive.

“Fshati mundohet të mbijetojë por akoma krimet e luftës janë të prekshme, akoma mund të shihen dhe ne si familjarë çdo ditë i përjetojmë ato, sepse ka një numër të madh të njerëzve të vrarë, është një numër i madh i shtëpive të djegura, afër 800 prej tyre”, u shpreh Hoti.

Përveç kësaj ka edhe shumë dëme të tjera materiale si humbja apo djegia e bagëtive gjegjësisht të kafshëve por mbi të gjitha “ajo çfarë është problem, është se akoma kemi njerëz të zhdukur për të cilët fati i tyre nuk dihet”.

Pas luftës ka pasur shoqata të cilat kanë operuar në tërë Kosovën e po ashtu edhe në Krushë të Madhe, të cilat janë munduar të investojnë mirëpo për shkak të dëmeve të mëdha nuk kanë arritur ta restaurojnë fshatin në tërësi.

“Barra përsëri u ka mbetur familjarëve por gjithashtu edhe me kalimin e viteve edhe qeveritë lokale dhe qendrore kanë bërë investime të ndryshme qoftë në infrastrukturë apo në pjesë të tjera por ka akoma nevoja shumë të mëdha”, tha Hoti.

Megjithatë, sipas Hotit kjo ditë mbetet e rëndë për familjarët e prekur nga kjo ngjarje.

“Ditë e vështirë për ne si familjarë por ja që kishin një fat të tillë dhe tani duhet të mos ndalojmë e të ecim përpara”, përfundoi Hoti.

Masakra e Krushës së Madhe konsiderohet njëra ndër më të mëdhatë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Në marsin e vitit 1999 në këtë fshat të Rahovecit, forcat serbe kanë vrarë 241 njerëz, ku trupat e 64 viktimave ende janë të zhdukur.

Mes tyre shtatë fëmijë janë vrarë, nga gratë e vrara, njëra nga të cilat ishte edhe shtatzënë dhe 510 fëmijë kanë mbetur bonjakë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore