Kosova

“BE-ja duhet të liberalizojë vizat sa më shpejt për Kosovën”


“Njerëzit në Kosovë më impresionojnë me dëshirën e tyre për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian në fakt asnjë shtet në rajon nuk shfaq qëndrim më të fortë për BE-në sesa Kosova, por ky fakt nuk mund të merret përgjithmonë si i mirëqenë nëse nuk përmbushim detyrimet tona, ne humbim kredibilitetin tonë dhe besimin, është koha e fundit që Këshilli i BE-së për të dhënë premtimin e tij për liberalizimin e vizave për Kosovën”, tha raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon në debatin për raportin e progresit për Kosovën, Shqipërinë, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Unë ndaj frustrimin e qytetarëve të Kosovës, unë do të dëshiroja që Parlamenti Evropian do të mund të vendoste për këtë çështje”, shtoi Cramon.

Ajo tha se “Bashkimit Evropian duhet që të liberalizojë vizat për Kosovën sa më shpejt që është e mundur”.

Po ashtu eurodeputetja gjermane shprehu shqetësimin e saj për mos furnizimin e Kosovës me vaksina anti-COVID.

“Një tjetër çështje është mos furnizimi i Kosovës me vaksinat COVID-19, kapaciteti i prodhimit në BE po rritet dhe kjo duhet të shfrytëzohet që të furnizohet edhe Kosova sa më parë që është e mundur BE-ja duhet të përkrahë vaksinimin e shpejt të personelit mjekësor dhe grupeve tjera më të ndjeshme”, tha ajo.

Ajo përmendi edhe nevojë për zgjedhjen e presidenti të ri në Kosovë, kurse sa i përket dialogut me Serbinë ajo tha se duhet të vazhdojë.

“Kuvendi i ri duhet të gjejë gjuhën e përbashkët dhe të zgjedhë presidentin e ri. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, qeveria e re të vazhdojë dialogu, pavarësisht vështirësive Kosova duhet që të punojë me BE-në rreth dialogut dhe mos ta braktisë atë. Njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është parakusht që dy vendet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, theksoi Von Cramon.

Muajin e kaluar, Cramon në një intervistë për Albanian Post tha se “Franca është vendi më i pabindur”, prandaj “është e rëndësishme të bindet qeveria franceze se Kosova është e gatshme për liberalizim të vizave”.

Ndryshe nga Franca, sa i përket Komisionit Evropian, Von Cramon theksoi se brenda këtij institucioni të Bashkimit Evropian gjërat janë të qarta – “Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore