Shqipëria

Begaj vijon vizitën në Slloveni: Bashkëpunimi me fokus interesat e përbashkëta strategjike


Presidenti Bajram Begaj, gjatë vizitës zyrtare në Slloveni, është takuar në një drekë pune me Zëvendëskryeministren njëherësh dhe Ministre e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon.

Begaj i ka shprehur mirënjohje Fajon për mbështetjen e vyer që ajo personalisht dhe Sllovenia i kanë dhënë Shqipërisë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

Për Kreun e Shtetit, është e rëndësishme që të vijojë bashkëpunimi mes dy vendeve, fokusuar tek interesat e përbashkëta strategjike.

Ai ka theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë për të mirëpritur investimet sllovene.

Gjatë vizitës shtetërore në Slloveni, presidenti është takuar edhe me Presidenten e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič.

Gjatë takimit, Presidenti Begaj shprehu rëndësinë që ka bashkëpunimi mes institucioneve të dy vendeve për ndarjen e eksperiencave më të mira.

Ai ka theksuar se në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria vlerëson mbështetjen e institucioneve të Sllovenisë, ndaj thellimi i mëtejshëm i bashkëpunimit është i mirëpritur dhe i domosdoshëm.

Presidenti Begaj pati gjithashtu një takim me Kryetarin e Bashkisë së Lubjanës, Zoran Janković.

Zhvillimi i qyteteve në mënyrë të qëndrueshme në të mirë të mirëqenies së qytetarëve dhe planetit ishin në fokus të bisedës së Kreut të Shtetit me Janković.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore