Kosova

Petkoviç i ankohet ambasadorit rus: Kriza i përshtatet vetëm Prishtinës


Drejtori i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, është ankuar te ambasadori rus në Serbi, Aleksandër Bocan-Harçenko, kinse populli serb në Kosovë po përballet me dhunë.

“Provokimi i krizës i përshtatet vetëm autoriteteve në Prishtinë, pala serbe bën përpjekje të përditshme për de-eskalim dhe për ta normalizuar situatën në terren, ndërsa pala tjetër e bën këtë vetëm me fjalë”, ka pretenduar ai, shkruan mediat serbe.

Ai ka theksuar se Serbia është e vendosur për të mbrojtur popullin serb “nga terrori dhe persekutimi”.

Po ashtu Petkoviç ka falënderuar ambasadorin e Federatës Ruse për mbështetjen e vazhdueshme “për integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit të Serbisë”, si dhe për respektimin e Rezolutës 1244.

Ndryshe, një ditë më parë, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar përmes një cicërime në Twitter se është dakorduar me zëvendëskryeminstrin e Kosovës, Besnik Bislimi për hapat fillestarë drejt zbatimin të planit 3-pikësh të BE-së për de-eskalim në Veri.

“Diskutime intensive dypalëshe zhvilluan sot në Bratislavë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi për de-eskalimin e situatës në Veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e 27 vendeve të Bashkimit Evropian të 3 qershorit dhe rrugën përpara në zbatimin e të gjitha Marrëveshjeve të Dialogut. Ne ramë dakord për hapat e parë drejt këtij qëllimi”, shkroi ai në Twitter.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore