Kosova

Shefi i EULEX-it: Do t’i monitorojmë rastet që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës


Thomas Goffus dhe Giovanni Pietro Barbano

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano, të mërkurën ka pritur në takim Zëvendës Sekretarin e NATO-s për operacione, Thomas Goffus, me të cilin ka diskutuar për situatën politike dhe të sigurisë në veriun e Koosvës të banuar me serbë etnikë.

Kreu i EULEX-it, sipas një cicërime në llogarinë zyrtare të misionit në “Twitter”, theksoi se përmes Njësisë për Monitorimin e Rasteve, do të vazhdojë të kryejë një monitorim të fuqishëm të rasteve të përzgjedhura i cili e përfshin tërë zinxhirin e drejtësisë penale, me fokus në rastet që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës.

“EULEX-i dhe Misioni Paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) bashkëpunojnë jashtëzakonisht ngushtë me njëri-tjetrin. Bashkëbiseduesit janë pajtuar për rëndësinë e mbajtjes së këtij bashkëpunimi të shkëlqyer në interes të sigurisë së të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus, në një konferencë për media të mëkurën në Prishtinë, ka thënë se mos-gatishmëria e Kosovës dhe Serbisë për t’iu përmbajtur planit trepikësh të Bashkimit Evropian për de-eskalim në veri të Kosovës, ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve.

Goffus, i cili të mërkurën zhvilloi një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, për të shqyrtuar mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës, iu ka bërë thirrje palëve që të respektojnë Marrëveshjen e Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksin e Ohrit (18 mars).

“Jam këtu për të konfirmuar qëllimin e NATO-s për paqe e stabilitet. Nuk kemi parë përparim nga Prishtina e Beogradi për deeskalim dhe kjo ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Nga ngjarjet e fundit, kemi pasur numrin me të madh të ushtarëve të lënduar të KFOR-it që nga viti 1999. Kjo është e papranueshme”.

“Është një çështje urgjente për Prishtinën dhe Beogradin të ndërmarrin hapa konkretë për qetësimin e situatës, të bisedojnë dhe t’i respektojnë marrëveshjet. Askush nuk duhet të tentojë një konflikt të ri në Evropë”, ka thënë Goffus para gazetarëve të pranishëm.

Ndryshe, qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore