Kosova

Ndihmës-sekretari i NATO-s: Çështje urgjente ndërmarrja e hapave për shtensionim, askush s’duhet të tentojë konflikt


Thomas Goffus

Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus, në një konferencë për media të mëkurën në Prishtinë, ka thënë se mos-gatishmëria e Kosovës dhe Serbisë për t’iu përmbajtur planit trepikësh të Bashkimit Evropian për de-eskalim në veri të Kosovës, ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve.

Goffus, i cili të mërkurën zhvilloi një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani, për të shqyrtuar mënyrën se si të zgjidhin krizën gjithnjë e më të mprehtë në veriun e Kosovës, iu ka bërë thirrje palëve që të respektojnë Marrëveshjen e Brukselit (27 shkurt) dhe Aneksin e Ohrit (18 mars).

“Jam këtu për të konfirmuar qëllimin e NATO-s për paqe e stabilitet. Nuk kemi parë përparim nga Prishtina e Beogradi për deeskalim dhe kjo ka vënë në rrezik jetën e qytetarëve. Nga ngjarjet e fundit, kemi pasur numrin me të madh të ushtarëve të lënduar të KFOR-it që nga viti 1999. Kjo është e papranueshme”.

“Është një çështje urgjente për Prishtinën dhe Beogradin të ndërmarrin hapa konkretë për qetësimin e situatës, të bisedojnë dhe t’i respektojnë marrëveshjet. Askush nuk duhet të tentojë një konflikt të ri në Evropë”, ka thënë Goffus para gazetarëve të pranishëm.

Një ushtar i KFOR-it që ka pritur ekipin e “SonttagsBlick” në aeroportin e Prishtinës ka thënë se mbi 90 paqeruajtës të KFOR-it kanë mbetur të lënduar nga protestat e dhunshme në Zveçan më 29 maj, të cilët, sipas gazetës zvicerane, janë shprehur të mërzitur me politikanët që i kanë ekspozuar ndaj rreziqeve.

Nuk mund të zbuten e as të fshihen sekuencat televizive të fytyrave të egërsuara, të gurëve dhe bombave djegëse mbi Policinë e Kosovës dhe KFOR-in, sulmet e fyerjet ndaj gazetarëve kosovarë dhe simbolet nacionaliste serbe bashkë me ato ushtarake të propagandës ruse.

Ndryshe, qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore