Kosova

Ambasadori rus në Serbi: S’ka mundësi që Rusia të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB


Aleksandër Bochan-Kharchenko

Ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandër Bochan-Kharchenko, ka thënë se shteti që ai përfaqëson nuk do të lejonte që Kosova të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), “kështu që nuk ka asnjë shans që të arrihet ky qëllim”.

“Natyrisht, Rusia nuk do të lejojë pranimin e Kosovës në OKB, që në fakt është synimi kryesor i Perëndimit, i Prishtinës dhe i sponsorëve të saj perëndimorë. Duke pasur parasysh qëndrimin e Rusisë për mosnjohjen e Kosovës, pranimin tonë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe mbështetjen tonë për Beogradin, ky qëllim është absolutisht i paarritshëm”, ka thënë ai, transmeton Radio Televizioni i Vojvodinës.

Ndërsa, ai pretendon se për shkak të sanksioneve të perëndimit ndaj Rusisë – pas agresionit rus në Ukrainë – “perëndimi arriti të promovojë procedurën për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.

Sipas tij, kjo do të ishte “e pamundur” gjatë periudhës kur Rusia ishte anëtare e asaj organizate.

“Tani e kanë bërë. Procedura është në vazhdim. Parimisht duhet të supozohet se Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit Evropian dhe Perëndimi do ta konsiderojë këtë si një lloj hapi përpara në procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës apo zyrtarizmi i kësaj njohjeje dhe pranimi i saj më pas në organizatat ndërkombëtare”, shtoi ai.

Ndryshe, Rusia së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kinën, Francën dhe Britaninë e Madhe përbejnë pesëshen e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, dhe secila nga to ka të drejtën e vetos, të cilën mund ta përdorë për të kundërshtuar ndonjë vendim të organizatës, dhe në rast kundërshtimi ai vendim nuk mund të miratohet.

Ndërsa, ambasadori i Federatës Ruse në Serbi, Aleksandër Bocan-Kharchenko, kishte komentuar edhe vendimin e Komitetit Ministror për t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësim të Kosovës në këtë organizëm.

Ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter kishte pretenduar se “përkrahja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës për Prishtinën në aplikimin për pranim në këtë organizatë, në fakt po e shpërblen kryeministrin e Kosovës (Albin) Kurti nga Perëndimi për politikën e tij antiserbe”.

“Nuk është rastësi që vendimi përputhet me zgjedhjet e rreme në katër komuna në Veri të Kosovës”.

Ndërkaq, ai tha se nuk mendoj se është e nevojshme të dëshmohet se “Prishtina po ndjek kursin e SHBA-së dhe BE-së”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore