Kosova

Gërvalla: Deklarata e Borrell-it tregon se Vuçiç s’ka qenë konstruktiv – S’ka asgjë që bie ndesh me qëndrimet e Kosovës


Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë për “ATV”, duke komentuar deklaratën e Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimeve të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se në bazë të intuitës së saj tregon se kreu i Serbisë nuk ka qenë fare konstruktiv.

“Në deklaratën e Borrell-it ka konstatime me të cilat institucionet e Kosovës nuk bien ndesh në asnjërën prej tyre, pa i ditur rrethanat se pse Borrell e ka dhënë këtë deklaratë, por intuita më thotë se kjo deklaratë ka vetëm një kuptim; tregon se Aleksandër Vuçiç nuk ka qenë fare konstruktiv sonte, sepse nuk ka asgjë që bie ndesh me qëndrimet e Kosovës gjatë gjithë këtyre ditëve”, tha ajo.

“Nuk ka asnjë sinjal që të lë të kuptojë se Vuçiç-i ka qenë i gatshëm që të ofrojë një kompromis, ose një zgjidhje, ose një lëvizje sado të vogël në drejtim të Bashkimit Evropian dhe të kërkesave të tyre”, shtoi Gërvalla.

Josep Borrell në konferencën për media pas takimeve me liderët e Kosovës dhe Serbisë, tha se jemi pajtuar për nevojën e zgjedhjeve të reja në katër komunat Veriore të Kosovës.

Ndërsa, kryediplomatja kosovare theksoi se “është shumë e rëndësishme që rruga se si zgjedhjet e reja zhvillohen në katër komuna të jetë në përputhje me rendin dhe ligjin e Kosovës”.

“Zgjedhje të reja nuk mund të mbahen përsëri, nëse pala tjetër që në fillim i bojkoton. Prandaj ne duhet të krijojmë një ambient në të cilin zgjedhjet e reja kanë kuptim”, pohoi ajo.

Ndërkaq, ajo përsëriti qëndrimin e Qeverisë së Kosovës sa i përket kidnapimit të tre policëve nga xhandarmëria serbe, për të cilët tha se “janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës”.

“Ne do të vazhdojmë me ngul të kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tyre”, potencoi Gërvalla, duke shtuar se ata “duhen liruar menjëherë, pa kushte, me qëllim që të vazhdojmë implementimin e marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel dhe në Ohër”.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një konferencë për media pas takimeve që pati të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës.

Ai ka përsëritur sërish kërkesat e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, duke filluar me tërheqjen e menjëhershme të policisë kosovare nga ndërtesat komunale atje dhe që krytarët e rinj të kryejnë detyrat e tyre të përkohshme nga lokacione alternative.

Kryediplomati evropian ka thënë se protestuesit serbë duhet të largohen nga ndërtesat komunale atje, por vetëm atëherë kur të tërhiqet Polica e Kosovës, ndërsa ka shtuar se më pas duhet të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të ketë pjesëmarrje të plotë të serbëve lokalë.

“Kosova t’i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri dhe katër kryetarët e komunave përkohësisht të largohen nga objektet komunale. Serbia duhet të sigurojë që protestuesit do të tërhiqen nga objektet komunale, në të njëjtën kohë me forcat policore dhe pastaj të shpallen zgjedhjet”.

Shefi i diplomacisë evropiane ka thënë se Kosova dhe Serbia menjëherë pas qetësimit të situatës duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të asaj çfarë është dakorduar fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, pastaj në Ohër më 18 mars.

“Kur situata në terren të normalizohet, atëherë të vazhdojmë punën në dialog. Edhe para ca muajve patëm arritur një marrëveshje bazike në rrugën drejt normalizimit dhe dukej se ishim në një drejtim të mirë për të avancuar në këtë që quhet normalizim i marrëdhënieve dhe duhet t’i kthehemi implementimit të kësaj marrëveshjeje”.

Borrell ka theksuar se implementimi i marrëveshjes përfshinë edhe hartimin e menjëhershëm të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa ka shtuar se tre policët e arrestuar nga strukturat serbe të sigurisë duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.

Borrell: Kosova t’i organizojë menjëherë zgjedhjet në veri – Serbia t’i lirojë menjëherë policët kosovarë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore