Kosova

Borrell: Kosova t’i organizojë menjëherë zgjedhjet në veri – Serbia t’i lirojë menjëherë policët kosovarë


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, në një konferencë për media pas takimeve që pati të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se janë pajtuar për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës.

“Takimi i sotëm s’u fokusua në atë se çfarë, por se si dhe kur – kur do të shtensionohet situata në terren, me hapa konkretë, si të organizohen zgjedhje të reja e si të kthehemi në dialog dhe të implementohen të gjitha marrëveshjet e dialogut. Jemi marrë vesh për zgjedhje të reja dhe kemi diskutuar për modalitetet se si të arrijmë aty”.

Ai ka përsëritur sërish kërkesat e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, duke filluar me tërheqjen e menjëhershme të policisë kosovare nga ndërtesat komunale atje dhe që krytarët e rinj të kryejnë detyrat e tyre të përkohshme nga lokacione alternative.

Kryediplomati evropian ka thënë se protestuesit serbë duhet të largohen nga ndërtesat komunale atje, por vetëm atëherë kur të tërhiqet Polica e Kosovës, ndërsa ka shtuar se më pas duhet të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe të ketë pjesëmarrje të plotë të serbëve lokalë.

“Kosova t’i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri dhe katër kryetarët e komunave përkohësisht të largohen nga objektet komunale. Serbia duhet të sigurojë që protestuesit do të tërhiqen nga objektet komunale, në të njëjtën kohë me forcat policore dhe pastaj të shpallen zgjedhjet”.

Shefi i diplomacisë evropiane ka thënë se Kosova dhe Serbia menjëherë pas qetësimit të situatës duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të asaj çfarë është dakorduar fillimisht në Bruksel më 27 shkurt, pastaj në Ohër më 18 mars.

“Kur situata në terren të normalizohet, atëherë të vazhdojmë punën në dialog. Edhe para ca muajve patëm arritur një marrëveshje bazike në rrugën drejt normalizimit dhe dukej se ishim në një drejtim të mirë për të avancuar në këtë që quhet normalizim i marrëdhënieve dhe duhet t’i kthehemi implementimit të kësaj marrëveshjeje”.

Borrell ka theksuar se implementimi i marrëveshjes përfshinë edhe hartimin e menjëhershëm të statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa ka shtuar se tre policët e arrestuar nga strukturat serbe të sigurisë duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte.

Në këtë drejtim, teksa ka folur për pretendimet e zyrtarëve serbë se të arrestuarit për sulmet ndaj paqeruajtësve të KFOR-it dhe gazetarëve gjatë protestave në veri janë keqtrajtuar nga autoritetet kosovare, diplomati spanjoll tha se me këtë çështje tash do të merret edhe EULEX-i.

“Arrestimet arbitrare ose të paligjshme apo keqtrajtimi i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm. EULEX-i do të luajë rol të fuqishëm në monitorimin e këtij rasti. Presidentit Vuçiç i kërkova lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policët kosovarë që po mbahen në Serbi”.

Ai ka thënë se pas takimeve që zgjatën më shumë se katër orë, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç, janë njohur me ashpërsinë e situatës në terren, megjithatë të dy liderët kanë akoma qasje dhe interpretime krejt të ndryshme për krizën në veri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore