Kosova

Zyrtari i LDK-së: Kurtit s’po i bie tamam as Bideni, problemin e ka me demokracinë amerikane


Visar Azemi

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, duke komentuar artikullin e agjencisë amerikane të lajmeve “Politico”, konsideroi se kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po i pengon politika dhe demokracia amerikane.

Gazeta amerikane të martën shkroi se kryeministri Kurti ka arritur që ta bëjë të pamundurën në politikën e Shteteve të Bashkuara, pra që Demokratët dhe Republikanët të arrijnë konsensus mes vete për situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe “kokëfortësinë” e tij për t’i dëgjuar kërkesat amerikane.

Azemi, duke iu referuar përplasjeve mes kryeministrit Kurti dhe administratës së atëhershme të Donald Trumpit, ka thënë se nga artikulli i “Politico” del se kreu i ekzekutivit nuk ka probleme me individë të caktuar, por me krejt politikën amerikane. Edhe me admistratën e Joe Bidenit.

“Atij s’po i bie tamam as Biden të cilin e mbështeti në zgjedhje përkundër Trumpit, e as [Antony] Blinken dhe [Gabriel] Escobar. Zaten ky njeri e ka problem politikën amerikane. Këtij zotëriu me gjasë i pengon demokracia më e madhe dhe më e konsoliduar në botë”, ka shkruar Azemi.

“Kjo edhe s’do të ishte aq problem sikur Kurti këto bindje e këtë qasje t’i shpaloste vetëm në shkollat politike të Vetëvendosjes. Ama, ai sot është kryeministër dhe me veprimet e tij ai po rrezikon marrëdhëniet me të shëndosha të ndërtuara ndër dekada e plot mund me ShBA-në”, shtoi ai.

Një varg sanksionesh tepër serioze janë paralajmëruar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave të tyre nga kryeministri i vendit për uljen e tensioneve në veriun e territorit të banuar me serbë etnikë.

Prioriteti i Kurtit – para çdo gjëje tjetër – duhet të jetë aleanca me SHBA-të

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore