Kosova

“Kërcënim për paqen”, avokati serb: Përgjegjësia për ngjarjet në Kosovë është e Vuçiçit


Çedomir Stojkoviç

Avokati serb, Çedomir Stojkoviç, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka thënë se fajtori kryesor për gjendjen e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë, padyshim është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili ka filluar një fushatë propagandistike.

“E gjithë përgjegjësia për të gjitha ngjarjet në Kosovë është e Aleksandër Vuçiçit për shkak të gjuhës së tij të urrejtjes dhe nxitjes së serbëve në Kosovë për të sfiduar institucionet atje, me pretekstin se ‘Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është formuar’”, tha Stojkoviç.

Ai ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të formohet një ditë, porse mbjellja e urrejtjes në mesin e serbëve të Kosovës dhe nxitja e tyre nga autoritetet serbe për t’i bojkotuar institucionet e Kosovës do të vendosë në pikëpyetje nevojën për këtë mekanizëm.

“Por mbjellja e urrejtjes në mesin e serbëve të Kosovës dhe nxitja e tyre nga Beogradi për të injoruar institucionet e Kosovës do të ngrisë pyetje në bashkësinë ndërkombëtare, nëse Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është i nevojshme dhe nëse do të jetë kërcënim për paqen”, konsideroi Stojkoviç.

Stojkoviç ndër të tjera ka theksuar se ekziston vetëm një politikë korrekte e Serbisë ndaj Kosovës: inkurajimi i serbëve që të respektojnë institucionet e Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Po ashtu, ai ka nënvizuar se paralelisht me këtë, autoritetet në Beograd duhet të kërkojë respektimin e marrëveshjeve të nënshkruara përmes organizatave ndërkombëtare, në të cilat Kosova duhet të bëhet anëtare me të drejta të plota.

“Prandaj ai është përgjegjës për çdo ngjarje sot në Kosovë, sepse nëse kërcënon me luftë pas çdo mosmarrëveshjeje me Kurtin, dërgon ushtrinë në kufi me Kosovën, përhap urrejtje në media, nxit serbët në Kosovë në dhunë dhe më pas arreston policët e Kosovës: atëherë nuk duhet të habitemi nga reagimet e palës tjetër”.

“Si një vend më i madh, ne mbajmë një përgjegjësi më të madhe. Dhe nuk ka asnjë dilemë. Opozita duhet të pranojë politikën e shprehur në këtë postim në Twitter, ose të mos e quajë veten opozitë”, ka përfunduar Stojkoviç.

Rrëmbimi i tre policëve kosovarë në vijën kufitare në veri të Kosovës nga strukturat e sigurisë së Serbisë, ka shtuar shtresa të reja në një atmosferë tashmë të njohur, por kësaj here me rrezikun e rrëshqitjes drejt skajeve të përshkallëzimit të mëtejmë dhe ngjitjen drejt esktremeve.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve të Kosovës. Departamenti amerikan i Shtetit, për më tepër, ka thënë se arrestimi i tyre dhe mbajtja në paraburgim nën akuza të pabaza ka përkeqësuar situatën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore