Kosova

Avokati i kreut të “Mbrojtjes Civile”: Gjykatave në Kosovë s’u interesojnë argumentet


Ilustrim

Nebojsha Vlajiç, avokati mbrojtës i serbit të arrestuar për terrorizëm, Milun Milenkoviç – Llune, në një prononcim për Radio Televizionin e Serbisë, pretendoi se po e ka të “vështirë” mbrojtjen e klientit të tij, ngase siç tha ai, gjykatave në Kosovë “nuk iu interesojnë argumentet”.

“Unë jam një njeri që sipas vokacionit tim duhet të besoj në gjyqësor. Unë ende besoj në të, nuk i kam humbur idealet e mia, por shoh se si funksionon gjyqësori në Kosovë. Për drejtësi në Kosovë shpresojnë vetëm ata që janë të dëshpëruar ose thellësisht të painformuar”, tha fillimisht Vlajiç.

“Është e pamundur t’i mbrosh njerëzit para gjykatave në Kosovë, sepse thjesht nuk iu interesojnë argumentet, do të të lënë të thuash çfarë të duash, për të ruajtur pamjen e një procedure të drejtë, por vendimi është marrë shumë kohë më parë”, pretendoi tutje ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 (një) muaji kundër kreut të formacionit paraushtarak “Mbrojtja Civile” Milun Milenkoviç – Llune, i cili ka qenë organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në veri të vendit.

“Llune ka edhe një mbrojtës tjetër që po merr masa në këtë procedurë dhe jam i sigurt se në këtë procedurë tashmë është bërë gjithçka që mund të bëhet, por ka pasur një masë paraburgimi prej 30 ditësh dhe nuk mundemi të bëjmë më shumë për momentin”, shtoi Vlajiç.

Vlajiç ndër të tjera ka pretenduar se autoritetet kosovare të drejtësisë “nuk e kanë asnjë dëshmi” se Milenkoviç ka sulmuar gazetarët kosovarë në veri të vendit, ngase sipas tij, serbët “duan që e vërteta e tyre të dëgjohet pikërisht në Prishtinë dhe prandaj duhen gazetarët shqiptarë”.

Milenkoviç, i njohur me nofkën kriminale “Llune”, si një nga krerët e formacionit paraushtarak “Mbrojtja Civile” dhe prijës i kahmotshëm i bandave kriminale në veri të Kosovës, ishte arrestuar më 13 qershor në Mitrovicën e Veriut nën dyshimet për terrorizëm.

Ai dyshohet se në bashkëveprim edhe me persona të tjerë, kanë sulmuar zyret e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut me qëllim të frikësimit serioz të popullatës, për të pamundësuar zgjedhjet lokale si dhe me qëllim që të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike dhe kushtetuese të Kosovës.

Ndryshe, tensionet janë kthyer sërish në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave atje – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, ku për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa një numër grupesh dhe fraksionesh i kërcënojnë me rezistencë autoritetet kosovare që mundohet të integrojnë komunitetin komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore