Kosova

Policia e Kosovës arreston edhe një person për sulm ndaj gazetarëve në veri të vendit


Për sulmin ndaj gazetarëve të enjten e 16 qershorit në veri të vendit, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person të dyshuar.

“Sot, në orët e hershme të mëngjesit është arrestuar i dyshuari i radhës mashkull serb U.V., me vendbanim në një fshat të komunës së Leposaviqit, i dyshuar për përfshirje në një rast sulm ndaj mediave/gazetarëve”, thuhet në njoftimin për medie të policisë.

Organet e rendit kanë bërë të ditur se ai është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor “si rezultat i hetimeve intensive dhe i sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj mediave/gazetarëve me datë 16 qershor 2023”.

Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, njofton policia.

“Angazhimi dhe përkushtimi i Policisë së Kosovës, do të vazhdojë për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin”.

I dyshuar i parë i arrestuar nga policia për sulm ndaj gazetarëve në Leposaviq, u bë më 16 maj.

Siç thuhet në komunikatën për media “si rezultat i punës dhe hetimeve intensive të njësiteve policore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar i cili me datë 29 maj 2023 në Leposaviq, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve”.

“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar (mashkull serb), i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Leposaviq dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Ndërkaq, nga Policia deklarojnë se mbesin të “përkushtuar në realizimin e detyrave të saja ligjore dhe kushtetuese, për ruajtje të rendit dhe sigurisë publike, për sundim të ligjit dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar që bien në kundërshtim me rendin dhe ligjin”.

Për arrestimin e të dyshuarit përmes një postimi në rrjetin social Facebook njoftoi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili bëri të ditur edhe identitetin e të arrestuarit.

“Nemanja Vllaskoviç do të ballafaqohet me drejtësi për sulmet e kryera ndaj gazetarëve tanë”, shkroi ai në Facebook, duke shtuar se “të gjithë sulmuesit dhe kriminelët do të sillen para drejtësisë, kjo nuk ka alternativë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore