Kosova

Borrell s’ka marrë ende përgjigjje nga Kurti dhe Vuçiç për “takimin e krizës”


Ilustrim: Albin Kurti, Aleksandër Vuçiç dhe Josep Borrell.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ende nuk ka marrë pergjigjeje pozitive nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për “takimin e krizës”.

Situata e tensionuar në Veri të Kosovës si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale, nën asistencën e Policisë së Kosovës në njërën anë dhe kidnapimi i tre policëve kufitar nga shteti i Serbisë në anën tjetër e shtynë Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë Jashtme për Siguri, Josep Borrell, që të thërras një takim urgjent në mes të dy liderëve të vendeve respektive.

Mirëpo, Kurti dhe Vuçiç kanë ende mëdyshje nëse do të pranojnë takimin e javës së ardhshme të thirrur nga Borrell. Të paktën kështu janë shprehur vetë të dy protagonistët.

“Ende nuk kam vendosur, por do ta informojë Borrellin me kohë”, ka thënë Kurti.

Ani pse kryeministri i Kosovës, paraprakisht, gjatë fjalimit të tij në kuadër të Forumit të Prespës, tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme që në çdo kohë të ulet në tryezën e bisedimeve në Bruksel, mëdyshja e tij për ta bërë një gjë të tillë në këtë fazë buron, siç tha ai, nga qasja paksa e çuditshme e kryediplomatit spanjoll, Borrell.

“Ftesa e fundit e Josep Borrell për t’u takuar javën e ardhshme në Bruksel më duket paksa e çuditshme, sepse javën e kaluar kur propozova të takohemi në Bruksel, Borrell tha se njëherë na duhet de-eskalim ndërsa menjëherë pas kidnapimit të tre policëve nga njësia speciale e Serbisë, Borrelli kërkon takim të nivelit të lartë, kur eskalimi është i madh sa një mal atëherë marrë ftesë që të shkojë në takim të nivelit të lartë kurse kur kërkova vetë takim paraprakisht thanë se nevojitet njëherë de-eskalim”, potencoi ai.

As pjesëmarrja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk është e sigurt.

Kështu të paktën ka bërë të ditur i ashtuquajturi Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një konferencë për media.

Duke folur për ftesën e kryediplomatit spanjoll, Petkoviç theksoi se Vuçiç ende nuk ka vendosur nëse do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Borrell për një takim të nivelit të lartë, me arsyetimin se kryeministri i Kosovës “nuk po jep hapësirë për bisedime”.

“Dialogu nënkupton biseda për normalizimin e marrëdhënieve, dhe ajo që po shohim nga Kurti është krejtësisht jonormale dhe e kundërta e dialogut. Vendimin përfundimtar për vazhdimin e mundshëm të bisedimeve me Prishtinën do ta marrë presidenti serb Vuçiç”, beson Petkoviç.

Pesimizëm të fortë për procesin e dialogut ka shfaqur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, meqë faktori ndërkombëtar, në veçanti BE-ja po kalon me lehtësi duke mos e ndëshkuar interferimin e Serbisë në stabilitetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Serbia, sipas numrit dy të Lëvizjes Vetëvendosje, po dëshmon se dëshiron patjetër tension dhe konflikt në Kosovë duke penguar të drejtën ligjore të kryetarëve të zgjedhur të komunave për ta ushtruar detyrën në institucionet komunale, duke rrëmbyer tre policë kufitarë e duke sulmuar pjesëtarë të KFOR-it e gazetarë.

“Çfarë fqinjësie të mirë dhe normalizimi raportesh mes dy vendeve mund të pretendohet nëse Bashkimi Evropian e toleron një sjelle të tillë armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës. Nëse BE e toleron këtë agresion të vazhdueshëm të Serbisë, atëherë përfundimisht dialogut po i humbet kuptimi”, shkruante Konjufca.

Ndryshe, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në një prononcim para gazetarëve të enjten, kishte njoftuar se përgjatë javës tjetër do t’i ftojë në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me krizën e krijuar në Veriun e Kosovës.

Para takimit të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian me NATO-n, diplomati spanjoll komentoi edhe kidnapimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga xhandarmëria serbe.

Megjithatë, ai e quajti “arrestim” aktin e së mërkurës, sipas pretendimeve të autoriteteve serbe.

“E dini se ka pasur një incident atje lidhur me arrestimin e tre zyrtarëve policorë nga Kosova dhe ne po përpiqemi të kuptojmë saktë se çka ka ndodhur. Jemi në kontakt të ngushtë me komandantin e KFOR-it dhe të dyja palët në mënyrë që të shohim se çka ka ndodhur në të vërtetë që ka shpirë në këtë arrestim”, thoshte ai.

“Në ndërkohë, duhet të bëjmë thirrje për qetësi në terren dhe duke parë situatën që po përkeqësohet çdo ditë, ne jemi në një modalitet të menaxhimit të krizave. Do t’i ftoj të dyja palët, Kosovën dhe Serbinë, për një takim për menaxhim krize këtu në Bruksel javën e ardhshme”, shtoi kreu i diplomacisë evropiane.

Në Veri të Kosovës kanë filluar tensionet që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës asistoi kryetarët e zgjedhur të katër komunave Veriore për tu futur në zyrat e tyre, çka edhe shkaktoi reagim të ndërkombëtarëve të cilët fajësuan Qeverinë e Kosovës për tërë situatën e krijuar.

Serbët lokalë e kundërshtuan këtë dhe të njëjtit ishin mjaft të ashpër në reagimin e tyre, duke sulmuar policinë.

Situata më e tensionuar ishte me 29 maj, kur protestuesit e dhunshëm serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it, ku mbetën të lënduar dhjetëra prej tyre, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Situata agravoi edhe më tej kur xhandarmëria serbe kidnapoi tre policë të Kosovës.

Nga vendet Perëndimore është prezantuar një plan me disa pika për depërshkallëzimin e situatës, dhe po ashtu është kërkuar që të bëhet lirimi i menjëhershëm dhe pa kushte i tre policëve të kidnapuar nga Serbia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore