Kosova

Bajrami: Kurti dhe Osmani po angazhohen vetëm për vota, po i bëjnë favore Serbisë dhe Rusisë


Deputetja e Lidhjes Demokratike te Kosoves, Hykmete Bajrami.

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “po e çon shtetin në theqafje”.

Bajrami përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka potencuar se Kurti, por sipas saj edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, “po mendojnë veç për vota, e angazhimi i tyre për vota po i bën favore Serbisë e Rusisë”.

“Konfrontimet me SHBA-në, konfrontimet me BE-në shkojnë në favor të Serbisë dhe Rusisë. Sanksionet ndërkombëtarë ndaj Kosovës shkaku i partisë në pushtet po e dëmtojnë shtetin e krijuar me gjakun e dëshmorëve dhe sakrificën e secilit shqiptar”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ndërkaq, ish-ministrja e Financave theksoi se “përpos dështimeve spektakolare në ekonomi, arsim, shëndetësi e diplomaci, kjo Qeveri po e çon Kosovën drejt humnerës edhe në Veri”.

“Votat e fituara do duhej të përdorën për të mirën e të ardhmen me të ndritur të Republikës. Kjo Qeveri po tradhton besimin e qytetarëve. Po tradhton themelet e shtetit përmes konfrontimeve me SHBA-në dhe BE-në dhe besimin qytetarë po e përdor për popullizëm, i cili ka kosto të parikuperueshme”, shtoi ajo.

Bajrami beson se ata “që sot po kalkulojnë vetëm për vota e kanë harruar shtetin”, duke shtuar se “në fakt, po e rrënojnë shtetin”.

“Presidente, nuk mjafton foto me flamur të Evropës, duhet të jeshë më e qartë, sot ose kurrë sepse e dimë që nuk je aq naive për të mos i kuptuar pasojat”, pohoi ajo duke iu referuar një fotografi që pak më herët e para e vendit e postoi në rrjetin social “Facebook”, ku shihej ajo në fotografi dhe flamuri i Bashkimit Evropian, me mbishkrimin “Evropa, shtëpia jonë”.

Ndryshe, sanksione tepër serioze kanë pregatitur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave nga kryeministri Albin Kurti për uljen e tensioneve në veriun e vendit të banuar me serbë etnikë.

Ashtu siç raportoi ekskluzivisht Albanian Post nga burimet diplomatike se sansksionet nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare mund të fillojnë qysh nga kjo javë, pako e sanksioneve ndaj Kosovës veçse është pregatitur nga BE-ja, raporton Radio Evropia e Lirë.

Sanksionet, sipas raportimit të REL-it, do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga BE-ja dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

Për “izolimin ndërkombëtar” të Qeverisë së Kosovës për shkak të refuzimit për t’i dëgjuar kërkesat e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare dhe refuzimit të kryeministrit Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për qetësimin e situatës në veri ka raportuar që nga mëngjesi i së martën ekskluzivisht Albanian Post.

Ekskluzive: Sanksionet mund të fillojnë sot – “nëse s’ka reflektim, Kurti izolohet”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore