Kosova

“Kurti të tregohet i mençur, ta pranojë se bëri gabim taktik dhe të tërhiqet”, intervistë me profesorin e Oxford-it, Richard Caplan


Richard Caplan

“Albin Kurti do të ishte i mençur të pranonte se kjo lëvizje ishte një gabim taktik dhe të gjente një mënyrë të këndshme për t’u tërhequr”, ka thënë në një intervistë për Albanian Post, profesori nga Universiteti i Oxford’it, Richard Caplan, duke komentuar situatën e krijuar në Veri të Kosovës pasi policia asistoi për t’i futur në zyrat e tyre kryetarët e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, ku si pasojë pati kundërshtime dhe protesta të dhunshme nga serbët lokalë.

Për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, pati kritika të ashpra nga bashkësia ndërkombëtare, e sidomos nga aleati më i madh i Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kritikoi këtë vendim, dhe duke i bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të tërhiqet. Mirëpo, Kurti nga ana tjetër i konsideroi këto deklarata të Blinken si të “gabuara dhe naive”.

Por, për profesorin Caplan, deklaratat e Kurtit ndaj Blinken-it nuk do të jenë faktorë që të ndryshojnë kursin e ShBA-ve në raport me Kosovën, por se shton se disa kërkesa të Kosovës në dialogun me Serbinë nuk janë të pëlqyera nga ShBA-të.

“Nuk pres të shoh ndonjë ndryshim thelbësor në politikën amerikane ndaj Kosovës si pasojë e këtyre zhvillimeve. Megjithatë, mund të kuptojmë se Uashingtoni ka më pak durim për disa nga kërkesat e qeverisë së Kosovës në negociatat e saj me Beogradin”, ka thënë ai për AP.

“Ka një dimension personal të diplomacisë dhe vullneti i mirë mund të vuajë si pasojë e deklaratave të këtij lloji”, theksoi ai, duke shtuar se “përsëri, nuk pres një ndryshim thelbësor në politikën amerikane ndaj Kosovës”.

Tensionet e shkaktuara në Veri të Kosovës, profesori nga Oxfordi thotë se erdhën si pasojë e lëvizjes së qeverisë së Kurtit për t’i vendosur në zyrat e tyre kryetarët e komunave, dhe në këtë situatë ai thotë se reagimi i serbëve lokalë nuk është për t’u habitur.

“Lëvizja e qeverisë së Kosovës për të vendosur kryetarë komunash shqiptarë etnikë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës ka nxitur tensionet atje. Kryetarët shqiptarë u zgjodhën nga një përqindje shumë e vogël e elektoratit për shkak se serbët e Kosovës bojkotuan zgjedhjet komunale. Nuk është për t’u habitur që serbët reaguan kaq ashpër”, pohoi ai.

Për kritikat e ShBA-ve, të Bashkimit Evropian NATO-s, Caplan thotë se janë kritika të miqve të Kosovës, “të cilët kanë punuar në emër të Kosovës për të gjetur një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për ngërçin e gjatë diplomatik mes Beogradit dhe Prishtinës”.

“Nuk është çështja nëse unë mendoj se reagimi i tyre është apo jo i drejtë: ajo që është domethënëse është se ata të gjithë kanë pasur një pikëpamje të zbehtë të veprimeve të qeverisë”, deklaroi Caplan për AP.

Ndryshe, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte shkruar në llogarinë e tij në Twitter se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dënojnë ashpër atë çfarë ka ndodhur të premten në Veri të Kosovës, kur policia kishte asistuar kryetarët e ri të Leposaviq-it, Zveçanit dhe Zubin Potokut të futen në zyrat e tyre.

“Ne fuqishëm e dënojmë aksionin nga Qeveria e Kosovës që po eskalon tensionet në veri dhe po rritë pasigurinë”, kishte thënë Blinken.

Ai i kishte bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të tërhiqet menjëherë.

“Thërrasim kryeministrin Albin Kurti që menjëherë të ndalë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, shkroi Blinken në Twitter.

Por, këtyre deklaratave të Blinken i është kundërpërgjigjur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për prestigjiozen britanike “The Guardian”.

Kurti ka shprehur pakënaqësitë e tij për deklaratën e Blinken-it, madje e ka konsideruar si “zbutje” të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Unë mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive. Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme”, ka thënë Kurti.

Ndërsa edhe në komunikatën e lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, u tha se ShBA-të “dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës”.

Nga DASH bën me dije se “këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thuhet në komunikatën e tyre.

Tutje, DASH i kishte bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti,  “që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”.

Po ashtu, edhe Bashkimi Evropian kishte reaguar për situatën e krijuar në Veri të Kosovës, pas tensioneve të krijuar atje, ku kryetarët e zgjedhur janë futur brenda objekteve të Komunës me asistencën e Policisë së Kosovës.

Përmes një komunikate për media u tha se “Bashkimi Evropian dënon ashpër përleshjet me policinë e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale”.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t’i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore”, kishin thënë nga BE-ja.

Ndryshe, që nga 26 maji janë rritur tensionet në Veri të Kosovës. Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Përveç ndalimit të hyrjes në objektet komunale të kryetarëve të rinj, serbët lokalë po kërkojnë edhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga kjo pjesë e vendit.

Ndërsa më 29 maj, në Zveçan, strukturat paralele serbe u përleshën me trupat e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-in, i cili ka shtuar prezencën në veri, pas tensionimit të situatës. Si pasojë 41 pjesëtarë të këtij misioni mbetën të lënduar.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Aleanca ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e 30 paqeruajtësve. Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, u shpreh fillimisht ish-kryeministri norvegjez.

Stoltenberg garantoi se KFOR-i – forcat e NATO-s – do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të paanshme në përputhje me mandatin e OKB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore