Kosova

Borrell mirëpret dislokimin e 700 trupave të NATO-s në Kosovë: Qetësia duhet duhet të rivendoset menjëherë


Josep Borrell

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, mirëpriti vendimin e NATO-s për të dislokuar 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe vendosjen e një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

“E mirëpres vendimin e Sekratarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për të dislokuar 700 trupa shtesë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë bashkërendimin dhe bashkëpunimin tonë të ngushtë me KFOR-in përmes EULEX-it, misionit tonë për sundim të ligjit. Qetësia duhet të rivendoset menjëherë”, shkroi ai.

Shefi i NATO-s, në një konference të përbashkët me kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, deklaroi se kanë vendosur të dislokojnë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

Ai dënoi se sulmet e protestuesve serbë në veri të Kosovës, ku dhjetëra pjesëtarë të misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë – kryesisht hungarezë dhe italianë – u lënduan rëndë gjatë një ndërhyrjeje për t’i shpërndarë protestuesit serbë në Zveçan të hënën.

“Ne dënojmë fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e 30 paqeruajtësve. Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen”, deklaroi fillimisht ish-kryeministri norvegjez.

Stoltenberg garantoi se KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të paanshme në përputhje me mandatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor dhe të vendosim një batalion shtesë të forcave tona në gatishmëri të lartë, në mënyrë që ato të mund të dislokohen nëse është e nevojshme”, tha Stoltenberg.

“Si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, e cila është e vetmja rrugë për një paqe të qëndrueshme”, nënvizoi ai.

Ndryshe, të martën vazhdoi tubimi i serbëve para objekteve komunale në veri të vendit për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj në zyra. Përveç njësiteve elitare policore të Kosovës, një prani e shtuar e ushtarëve të KFOR-it – kryesisht trupa amerikane – janë vendosur para objekteve të komunave në këtë zonë.

Derisa Serbia lëvizi ushtrinë në afërsi të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën, pas përplasjes së serbëve të veriut me policinë, e cila të premten, nën urdhrat e qeverisë, filloi aksionin për t’ua mundësuar qasjen në zyra kryetarëve të rinj të tri komunave veriore.

Aktualisht, në veri ekziston pak ose aspak rendi publik, udhëheqja atje nuk gëzon as autoritet, as besnikëri, ndërsa bandat e dirigjuara nga Beogradi i kërcënojnë me rezistencë institucionet kosovare që po mundohen të integrojnë komunitetin serb dhe të vendosin një rend efektiv.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore